BallinaPolitikPërgjegjësia Institucionale Pas Vrasjes së Arlinda Zekajt: Çështje e Thellë dhe e...

Përgjegjësia Institucionale Pas Vrasjes së Arlinda Zekajt: Çështje e Thellë dhe e Gjerë

- Advertisement -

Avokati Shkëlzen Sopjani dhe juristi Kolë Krasniqi kanë shprehur mendimin se dorëheqja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nuk duhet të përfundojë përgjegjësinë institucionale për këtë rast.

Në emisionin “FIVE” në Dukagjin, ata theksuan se duhet të shqyrtohet përgjegjësia edhe në institucionet tjera, përfshirë Prokurorinë, Gjykatat, Qendrat për Punë Sociale dhe udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sopjani tha se gjatë drejtimit të Hoxhës, veçanërisht pas sulmit në Banjskë, Policia ka pasur disa zhvillime pozitive.

Sidoqoftë, ai vuri në dukje se dorëheqja e drejtorit të Policisë ngre çështjen e përgjegjësisë te drejtuesit e institucioneve të tjera. “Çfarëdo përgjegjësie ka Hoxha, atëherë ka edhe kryeprokurori e prokurori.

Përgjegjësia institucionale u adresua me disa suspendime, megjithatë mendoj se përgjegjësia profesionale është shumë më e thellë dhe afatgjatë”, theksoi Sopjani.

- Advertisement -

Ai kritikoi zbehjen e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se përgjegjësia profesionale e zyrtarëve është dobësuar gjatë 10 deri në 15 vjetët e fundit. “Llogaridhënia është duke u zhdukur deri në nivelin më të ulët të zyrtarit, pasi edhe frika prej pasojave është zhdukur”, shtoi ai.

Krasniqi e përshëndeti dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për shkak të përgjegjësive institucionale, por theksoi se kjo nuk mjafton. “Pas dorëheqjes së tij, ministri i Punëve të Brendshme propozoi menjëherë një tjetër person që u emërua si ushtrues detyre, që tregon se ekziston një zinxhir i drejtpërdrejtë i ndikimit të strukturave komanduese”, shpjegoi Krasniqi.

Ai theksoi se ministri duhet të marrë përgjegjësi morale dhe të kërkojë llogari edhe nga departamentet e tjera.

Në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duhet të analizohet veprimi i të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve, përfshirë Policinë, Qendrat për Punë Sociale, Prokurorinë dhe Gjykatat. “Përderisa nuk janë marrë masat e duhura institucionale, ku do të duhej të kishte koordinim me Policinë, QPS-në, Prokurorinë e Gjykatat, të gjitha këto kanë përgjegjësi për mbrojtjen e sigurisë.

Nëse ndonjëra nga këto nuk i përmbush obligimet e veta, atëherë fatkeqësisht ndodhin raste si ky dhe me të drejtë po kërkojnë dorëheqjen e përgjegjësve”, shprehu ai.

Në fund, Krasniqi kërkoi reflektim edhe nga kryeministri, duke theksuar nevojën për rishqyrtimin e profesionalizmit dhe zbatimit të detyrave nga të gjitha institucionet përgjegjëse. “Duhet të analizohen përgjegjësitë, moralisht përgjegjësi ka edhe Kryeministri në raste të tilla. Është mirë të ketë reflektim dhe do të ishte e udhës të rishqyrtohet profesionalizmi dhe zbatimi i detyrave nga të gjithë”, përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments