Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka theksuar nevojën për vëmendje ndaj rastit të Sebahate Morinës, për të cilin Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Policia dhe Prokuroria dështuan në sigurimin e të drejtës për jetë.
Duke komentuar rastin e Arlinda Zekajt, Miftaraj, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, shprehu se ka ngjashmëri të dukshme me rastin e Morinës, që ndodhi në vitin 2021, dhe se institucionet duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. “Është rasti i Sebahate Morinës në vitin 2021, ka qenë pothuajse identik, sigurisht jo në këto përmasa, por që është vërtetuar me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Policia e Prokuroria kanë dështuar me ia siguru të drejtën për jetë Sebahate Morinës”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se IKD-ja kishte dërguar rastin e Morinës në Gjykatën Kushtetuese dhe e kishte hetuar atë.
Pas publikimit të aktgjykimit, ai priste që institucionet përgjegjëse të merrnin hapa konkret për të parandaluar raste të ngjashme. “IKD-ja e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese dhe e ka hetuar rastin e saj, dhe kur ka dal aktgjykimi në rastin e saj, IKD-ja ka besuar se të gjitha institucionet, Policia, Prokuroria, Gjykata, QPS-ja e të tjera, do të merrnin masa proaktive që të mos përsëriten raste të tilla”, theksoi ai.
Miftaraj theksoi se institucionet duhet t’i zbatojnë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe shtoi se IKD-ja ka informacione të rëndësishme për dështimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt. “Krejt çka duhet me bë është me u zbatuar rekomandimet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e Sebahate Morinës.
Kemi informata të rëndësishme se ku ka dështuar shteti në rastin e Arlinda Zekajt.
Në secilin rast, shteti duhet të sigurojë mbrojtjen e jetës dhe sigurisë fizike të viktimës së dhunës në familje.
Shteti nuk do të duhej që viktima dhe ish-burri të jetojnë në të njëjtën shtëpi; gjyqtari duhet të vlerësojë rrezikun”, përfundoi Miftaraj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
