Pas goditjeve ndaj opozitës, kufizimeve të mediave dhe çështjeve gjyqësore ndaj kryetarit të Stambollit, lideri i Partisë Republikane Popullore (CHP), Ozgur Ozel, ka shpallur se tani është në luftë dhe se është i gatshëm të përballet me vdekjen apo burgun, nëse është e nevojshme.
Të gjitha këto ngjarje nisën javën e kaluar, kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një takimi të partisë së tij, kritikoi opozitën duke u tallur me retorikën e saj gjithnjë e më dramatike. “Çfarë po ndodh, zotërinj?
Me kë po luftoni?
A keni shpallur mobilizim pa na njoftuar?
A është pushtuar Turqia pa marrë ne vesh?”, tha ai.
Lideri turk u bëri thirrje kundërshtarëve të tij që të ndalojnë përçarjen e shoqërisë përmes një retorike të tillë.
Megjithatë, lideri i opozitës, Ozgur Ozel, refuzoi të tërhiqej dhe iu përgjigj presidentit. “Jemi në luftë, miku im!
Po luftojmë kundër padrejtësisë dhe paligjshmërisë!
Kundër atyre që vjedhin paratë nga bankat dhe ua marrin fëmijët nënave të tyre.
Do të shkojmë në kutitë e votimit, do të fitojmë dhe do ta shpëtojmë këtë vend”, deklaroi Ozel.
Zgjedhjet e ardhshme në Turqi janë të parashikuara për vitin 2028, prandaj opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme.
