Ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shprehur mendimin se kërkesa e partisë së tij për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend ka përbërë një “gabim fatal”.
Ai theksoi se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga ky ligj dhe se angazhimi për forcimin e tij duhet të vazhdojë.
Hoxhaj, i ftuar në T7, deklaroi se ligji është një pozicionim politik që mbron krerët e UÇK-së në Hagë. “Së pari, nuk kemi hequr dorë prej ligjit, e as nuk e kemi anuluar.
Ne e shohim ligjin si një pozicionim politik për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Hagë.
Moralisht, duhet të luftojmë edhe më tutje si PDK që ta forcojmë këtë ligj”, u shpreh ai.
Ai është i bindur se ligji do të shqyrtohet në Komisionin për Legjislacion javën e ardhshme. “Jam më se i bindur se javën e ardhshme ligji do të jetë në Komisionin për Legjislacion.
Kërkesa jonë që ky ligj të tërhiqet ka qenë një gabim fatal, ka qenë e panevojshme dhe e pa domosdoshme”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se mendimet për një ligj më të fortë kanë ekzistuar që në natën e miratimit të ligjit, por sipas tij, është e rëndësishme që ky ligj të miratohet sa më shpejt. “Mendimet që ligji të jetë më i fortë kanë ekzistuar edhe natën kur e kemi miratuar ligjin.
Në bindjen time të plotë, me rëndësi është që ne ta kemi këtë ligj të miratuar sa më shpejt, sepse tërheqja e tij ka qenë gabim fatal”, theksoi ai.
Hoxhaj theksoi se, përveç qëndrimit të tij se kërkesa ishte gabim, urgjente për PDK-në është kthimi dhe miratimi i ligjit në Kuvend.
PDK-ja kishte kërkuar nga presidentja që të mos e dekretonte ligjin, por ta kthente atë në Kuvend.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
