Showbiz

Stevie Wonder Nisin Procedurat Ligjore për Të Shtyrë Një Banore nga Shtëpia e Tij

Legjenda e muzikës, Stevie Wonder, ka filluar procedurat ligjore për të larguar një grua nga shtëpia e tij, e cila, sipas padisë, jeton aty pa paguar qira për gati 40 vjet.

Avokatët e këngëtarit të njohur, i cili aktualisht është në turne në Evropë, kanë dorëzuar një padi në gjykatën e Los Angelesit kundër Carmen Efferson.

Ata kërkojnë që ajo të lirojë shtëpinë me tri dhoma gjumi në zonën e Hollywood Hills.


- Advertisement -

Efferson, e cila raportohet se ka qenë e fejuara e Wonder, jeton në këtë pronë që nga viti 1988.

Sipas padisë, në atë kohë ajo kishte arritur një marrëveshje gojore me këngëtarin, sipas së cilës mund të jetonte aty pa paguar qira.

Problemet nisën në korrik, kur përfaqësuesit e Wonder tentuan tri herë të inspektonin shtëpinë për të rinovuar policën e sigurimit.

Megjithatë, Efferson nuk i lejoi të hynin në asnjërën prej këtyre rasteve.

Në vend të kësaj, ajo i dërgoi një email avokatit të këngëtarit, David Huff, ku, sipas dokumenteve të bashkëngjitura padisë, i shkroi: “Ik pirdhu, më lër rehat njëherë e mirë”.

Pasi asaj iu dërgua me postë rekomande një kërkesë e re për inspektimin e pronës, Efferson iu përgjigj sërish Huffit me një mesazh të ashpër. “Me tonin tënd racist, të ftohtë dhe prej një burri të bardhë të privilegjuar… ndihem sikur po më ngacmon.

Sa u përket kërkesave të tua për të hyrë në hapësirën ku jetoj, nuk jap pëlqimin tim.

Mos tento të më kontaktosh më”, shkroi ajo.

Huff iu përgjigj duke sqaruar se letrën në fjalë nuk e kishte shkruar ai, por kolegia e tij nga zyra ligjore, Tempestt Tatum, e cila, sipas tij, “nuk është as raciste, as e ftohtë, as e bardhë dhe as burrë”.

Pas disa shkëmbimeve të tjera të email-eve, një tjetër avokat i Wonderit e njoftoi Efferson se marrëveshja e tyre gojore, e cila kishte zgjatur për dekada, po ndërpritej për shkak se ajo nuk i kishte respektuar kushtet e saj.

Ajo u njoftua se duhej të largohej nga shtëpia deri më 27 gusht 2026, por nuk e bëri këtë.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com


- Advertisement -