Trump Urdhëron Padinë për Bllokimin e Certifikimit të Zgjedhjeve në Alaskë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se ka urdhëruar personalisht Departamentin e Drejtësisë të paraqesë një padi për bllokimin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Senatin në Alaskë, në rast se senatori republikan Dan Sullivan humb. “Unë jam ai që thashë: Bëjeni,” u tha Trump gazetarëve të premten, sapo mbërriti në Florida.
Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka paraqitur padinë të enjten në një gjykatë federale në Alaskë, rreth dhjetë ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Në këtë padi kërkohet ndërhyrje në procesin e certifikimit të rezultateve, duke pretenduar se prania e një kandidati me emër pothuajse identik me atë të senatorit aktual mund të ndikojë në rezultat.
Bëhet fjalë për Daniel J.
Sullivanin, i cili figuron në fletëvotim përballë senatorit republikan Dan Sullivan.
Sipas padisë, nëse senatori republikan humb, rezultatet duhet të bllokohen, me arsyetimin se ai do të fitonte nëse votat e marra nga kandidati me emër të ngjashëm do t’i atribuoheshin atij në sistemin e votimit me renditje.
Republikanët pretendojnë se kandidatura e Daniel J.
Sullivanit mund të ngatërrojë votuesit.
Megjithatë, Gjykata Supreme e Alaskës e kishte refuzuar më herët kërkesën për ta larguar atë nga fletëvotimi.
Padia ka nxit kritika edhe brenda radhëve republikane.
Senatorja e Alaskës, Lisa Murkowski, deklaroi në platformën X se Departamenti i Drejtësisë nuk duhej ta paraqesë këtë padi.
Ajo theksoi se qytetarët e Alaskës janë në gjendje të vendosin vetë se për kë dëshirojnë të votojnë, duke shtuar se kandidatët në fletëvotimin e këtij viti janë dalluar qartë.
Nga ana tjetër, demokratët e kanë akuzuar Trumpin se po tenton të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve përmes institucioneve federale. “Donald Trump e di se Dan Sullivan do t’i humbë zgjedhjet, prandaj tani Departamenti i tij i Drejtësisë po paraqet një padi të rreme për të përmbysur vullnetin e votuesve të Alaskës dhe për t’i vjedhur zgjedhjet në rast të humbjes së tij,” deklaroi Devan Barber, drejtor ekzekutiv i Komitetit Demokratik për Fushatën e Senatit.
Departamenti i Drejtësisë, nga ana e tij, thotë se synon të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor dhe të sigurojë që kandidatura e kontestuar të mos ndikojë në vullnetin e votuesve.

