Bota

Stuhi e Fuqishme Godet Gjermaninë, Dëme dhe Lëndime nga Mot i Keq

Një stuhi e fuqishme ka goditur disa pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, rrëzimin e pemëve dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor.

Si pasojë e motit të keq, disa persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ngjarjet më serioze janë regjistruar në perëndim dhe jugperëndim të vendit, ku erërat e forta kanë rrëzuar pemë, degë dhe struktura të ndryshme.


- Advertisement -

Ekipet e zjarrfikësve dhe policisë janë angazhuar për të larguar pengesat dhe përballuar pasojat e stuhisë.

Në qytetin Nastätten, afër Frankfurtit, dy persona u lënduan rëndë të premten pasdite, pasi erërat e fuqishme rrëzuan një konstruksion pranë një tregu.

Njëri prej tyre u transportua me helikopter në spital dhe, sipas policisë, ndodhet në gjendje kritike.

Ndërkohë, në Seligenstadt, në juglindje të Frankfurtit, një degë peme ra mbi një çiklist, i cili u nxor nga poshtë saj nga ekipet e shpëtimit.

Një këmbësor në qytetin Lebach pësoi lëndime të lehta pasi u godit nga një tabelë reklamuese.

Stuhia shkaktoi gjithashtu probleme në transportin hekurudhor.

Në Karlsruhe u raportuan shkëndija pasi një objekt goditi linjat elektrike ajrore në stacionin kryesor të trenave.

Pranë qytetit Aachen, një tren me 280 pasagjerë në bord u desh të tërhiqej nga një lokomotivë me naftë për shkak të dëmtimit të linjave elektrike.

Pemët e rrëzuara bllokuan gjithashtu binarët në disa zona, përfshirë pranë Neussit dhe në Stuttgart, duke vështirësuar qarkullimin e trenave.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman, stuhia pritet të zhvendoset drejt Danimarkës dhe Detit Baltik.

Megjithatë, parashikimet paralajmërojnë për një tjetër stuhi gjatë natës, e cila mund të sjellë reshje të dendura shiu në disa pjesë të vendit.


- Advertisement -