Politik

Kryetari i Aleancës: Kosova në Krizë Energjitike, Importet Arrijnë 27 Milion Euro

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin se Kosova po përballet me një krizë të thellë energjetike, duke theksuar se vetëm në muajin shtator, importi i energjisë elektrike ka arritur në rreth 27 milion euro.

Ai paralajmëroi se vendi mund të detyrohet të importojë energji me vlerë prej së paku dy milionë eurosh në ditë dhe akuzoi Qeverinë për dështim në riparimin e bojlerit të njërit nga blloqet e prodhimit.

Në një konferencë për media, Gjini njoftoi se Aleanca do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës javën e ardhshme për këtë çështje.


- Advertisement -

Ai theksoi se kostot e importit të energjisë rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët, qoftë përmes faturave, qoftë përmes shpenzimeve nga buxheti i shtetit. “Ne e kemi thirrur këtë konferencë për të kthyer vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën ndodhet vendi.

Kjo lidhet me ekonominë dhe ka të bëjë me energjinë elektrike.

Kosova është në kolaps.

Pas shumë viteve, po përballemi me një import të dhunshëm të energjisë elektrike me çmime të larta, të cilat në fund të fundit paguhen nga xhepat e qytetarëve të Kosovës.

E dimë se ka shumë kamuflime dhe pështjellje, por duhet ta themi qartë: energjia elektrike paguhet nga qytetarët.

Qoftë përmes faturave, apo përmes pagesave skandaloze nga buxheti i Kosovës, i cili gjithashtu financohet nga taksat e qytetarëve”, tha Gjini.

Ai paraqiti gjithashtu shifra për prodhimin dhe importin e energjisë, duke theksuar se në momentin që po fliste, prodhimi ishte rreth 372 megavat, ndërsa kërkesa e kalonte 800 megavatët. “Deri tani, importi i energjisë elektrike ka arritur në 27 milion euro vetëm për muajin shtator.

Prodhimi aktual është 372 megavat, ndërsa kërkesa është mbi 800 megavat.

Në momentet kur nuk pritet shumë kërkesë, mund të arrijmë deri në 2 milion euro import çdo ditë”, theksoi ai.

Gjini akuzoi Qeverinë për dështim të qëllimshëm në tenderin për riparimin e bojlerit, duke pretenduar se procedura është mbyllur pa fitues, duke penguar përfundimin e riparimit. “Të njëjtat kompani që licencohen për transportin e energjisë elektrike janë të njëjtat që kanë dështuar.

Kurti ka folur në Kuvend për bojlerat para nja 3 viteve dhe tani po e them se ata kanë dështuar qëllimisht me tenderin për riparimin e bojlerit, i cili duhet të ishte riparuar deri në fund të vitit.

Tenderi është mbyllur pa fitues, duke zbuluar çmimet e ofertave që janë skandaloze.

Ky bojler, për të cilin ka folur dy vite e gjysmë, tani duhet të nxirret sërish nga sistemi për riparim.

Aleanca do të kërkojë interpelancë nga Qeveria për këtë çështje”, përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -