BallinaPolitikSfidat e Mbijetuesve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë

Sfidat e Mbijetuesve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë

- Advertisement -

Rreth 2.000 persona që kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë marrë statusin zyrtar nga shteti, por realizimi i të drejtave të garantuara me ligj vazhdon të mbetet një sfidë e madhe.

Deri tani, rreth 80 raste janë referuar në organet e drejtësisë, ndërsa pesë procese gjyqësore janë përfunduar, me pesë persona të dënuar dhe gjithsej 71 vjet burgim të shqiptuar.

Fatmire Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka folur për sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit e dhunës seksuale, qasjen në drejtësi dhe nevojën për përmirësimin e mekanizmave institucionalë për realizimin e të drejtave të tyre.

Ajo ka theksuar se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka filluar punën e tij në vitin 2018, dhe deri tani rreth 2.000 persona e kanë fituar këtë status. “Po, nga viti 2018 Komisioni Qeveritar është duke vazhduar punën e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku deri më tani rreth 2.000 persona e kanë marrë këtë status, pra nga shteti u është njohur statusi zyrtar si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, shprehet Haliti.

Sipas saj, njohja e statusit është një hap i rëndësishëm për njohjen e vuajtjeve të të mbijetuarve, por kjo nuk nënkupton se të gjitha të drejtat e garantuara me ligj mund të realizohen lehtësisht në praktikë. “Pra, në njëfarë forme u është njohur vuajtja nga shteti, duke u dhënë statusi, mirëpo megjithatë mbetet sfiduese realizimi i disa të drejtave që dalin nga ligji, ku në këto raste thuajse vetëm raste shumë të rralla mund t’i zbatojnë këto të drejta”, thotë ajo.

- Advertisement -

Haliti ka theksuar se një nga pengesat kryesore është mungesa e një strukture të organizuar institucionale në të gjitha nivelet, e cila do të mundësonte realizimin e këtyre të drejtave duke garantuar njëkohësisht konfidencialitetin e të mbijetuarve. “Duke pasur parasysh që duhet mbrojtur konfidencialiteti dhe ende nuk e kemi një strukturë organizative shtetërore në të gjitha nivelet, pra si ato komunale, po ashtu edhe ato qeveritare, që t’u njihen dhe të realizojnë këto të drejta.

Fjala është për disa të drejta, siç janë lirimi nga tatimi në pronë, e drejta e banimit social, shërbimet shëndetësore e të tjera”, thekson Haliti.

Ajo ka theksuar se, ndonëse këto të drejta dhe përfitime janë të parapara me ligj, mungesa e procedurave adekuate ua vështirëson të mbijetuarve qasjen në to. “Pra, në këto raste, edhe pse ligji ua ka njohur këto të drejta shtesë apo beneficione, në mungesë të procedurave adekuate, po ballafaqohen me vështirësi në realizimin e këtyre të drejtave”, thotë ajo.

Duke folur për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale nga sistemi i drejtësisë, Haliti ka bërë të ditur se QKRMT po bashkëpunon ngushtë me hetuesinë dhe Prokurorinë Speciale për të kontribuar në hetimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve.

Ajo ka treguar se deri tani rreth 80 raste janë referuar në organet e drejtësisë dhe ato janë duke u hetuar. “Sa i përket qasjes në drejtësi, ne jemi duke punuar ngushtë me hetuesinë dhe Prokurorinë Speciale për trajtimin e këtyre rasteve, ku rreth 80 raste i kemi referuar apo i kemi raportuar në organet e drejtësisë dhe janë duke i hetuar”, deklaron Haliti.

Sipas saj, deri tani kanë përfunduar pesë procese gjyqësore, në të cilat janë dënuar pesë persona për dhunë seksuale gjatë luftës, me gjithsej 71 vjet burgim të shqiptuar. “Deri më tani kanë përfunduar pesë procese gjyqësore, ku janë dënuar pesë kryerës të dhunës seksuale dhe kemi 71 vjet burgim të shqiptuara ndaj këtyre kryerësve”, thotë ajo.

Megjithatë, Haliti thekson se disa prej këtyre proceseve janë zhvilluar në mungesë, çka do të thotë se të dënuarit nuk janë duke e vuajtur dënimin në Kosovë. “Edhe pse disa prej tyre janë gjykime në mungesë dhe të akuzuarit nuk janë duke vuajtur dënimin këtu, sadopak kemi arritur që viktimave t’u ofrojmë qasje në drejtësi dhe herët a vonë, nëse do të kemi një bashkëpunim apo një raport tjetër ndërkombëtar me Serbinë, ata kryerës për të cilët është shqiptuar dënimi nga gjykata, presim të transferohen në Kosovë dhe të vuajnë dënimin e tyre”, shprehet Haliti.

Monitoruesja e QKRMT-së thekson se, përveç rasteve që tashmë janë referuar, ekziston edhe një numër i madh i rasteve që ende presin trajtim dhe drejtësi. “Po ashtu kemi edhe një numër të madh të rasteve që presin drejtësi.

Ne jemi duke punuar ngushtë me të gjithë aktorët që t’u krijojnë hapësirat e përshtatshme për raportim dhe trajtim të këtyre rasteve, për shkak se, siç e dini, janë raste mjaft të ndjeshme dhe duhet mbrojtur konfidencialiteti i tyre”, thotë Haliti.

Ajo vlerëson se institucionet e drejtësisë janë të gatshme për trajtimin e këtyre rasteve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave dhe standardeve përkatëse, në mënyrë që të mbijetuarve t’u garantohet qasje sa më e mirë në drejtësi. “Kështu që kemi një gatishmëri edhe të institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar në mënyrë sa më të mirë të mundshme këto raste dhe t’u ofrojnë qasje në drejtësi sipas procedurave dhe standardeve që kërkohen”, përfundon Haliti.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments