Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo e fundit ka shkelur ligjin duke mos e miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm brenda afatit të caktuar.
Në një postim të tij në Facebook, Hoti shprehet se mbetet e paqartë se si Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë procedurat për projektbuxhetin. “Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor.
Sot është 1 nëntor.
Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende.
Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor,” shkruan Hoti.
Deputeti i LDK-së thekson se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. “Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore,” thekson ai.
Sipas Hotit, shkeljet ligjore dhe kushtetuese janë bërë praktikë gjatë këtyre viteve të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj. “Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues.
Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë.
Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht,” përfundon Hoti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
