Komisioni i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi, nën udhëheqjen e kryeprokurores Zagorka Dolovac, është duke shqyrtuar rastin e Milan Radoiçiqit, një biznesmen i afërt me Aleksander Vuçiqin dhe autor i sulmit terrorist në Banjskë.
Sipas mediumit serb Nova.rs, vëmendje e veçantë po i kushtohet faktit se Radoiçiqit nuk iu caktua masa e paraburgimit pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pavarësisht rëndësisë së veprave penale për të cilat dyshohet.
Një nga arsyet e përmendura për moscaktimin e paraburgimit ishte se prokurori i atëhershëm i rastit, Nikola Panteliq, kishte paraqitur vetëm një rrethanë që mund të tregonte se, nëse do të qëndronte i lirë, Radoiçiqi mund ta pengonte zhvillimin e procedurës.
Bëhej fjalë për rrezikun e arratisjes, edhe pse, sipas raportimeve, Radoiçiqi ishte dorëzuar vetë dhe kishte shkuar vullnetarisht për t’u marrë në pyetje.
Po ashtu, mediumi serb thekson se komisioni pritet të shqyrtojë arsyet pse prokurori Panteliq nuk ishte thirrur në tri rrethanat e tjera që mund të ishin bazë për caktimin e paraburgimit: rreziku i përsëritjes së veprës penale, ndikimi te dëshmitarët dhe shqetësimi i publikut.
Ndërkohë, Panteliq ka avancuar në pozitën e shefit në Prokurorinë e Lartë Publike në Pançevë.
Ky shqyrtim është pjesë e punës së komisionit të Prokurorisë së Lartë Publike, i cili, sipas Nova.rs, po kontrollon gjithashtu mënyrën e trajtimit të rasteve të caktuara nga prokuroritë në Serbi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
