Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit, e cila u vra më shumë se 15 vjet më parë, ka shprehur kritika të forta ndaj neglizhencës së institucioneve në menaxhimin e rastit të vajzës së tij në atë kohë.
Gjatë një intervistë në Dukagjin, Kastrati ka theksuar se, pavarësisht kërkesave për mbrojtje dhe përpjekjeve të familjes për ndihmë nga institucionet, askush nuk ishte angazhuar siç duhej me rastin.
Ai ka treguar se Diana kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por sipas tij, organet përgjegjëse nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Kastrati ka zbuluar se pas vrasjes ka mësuar se kërkesa e vajzës së tij as nuk ishte regjistruar nga stacioni policor. “Është e çuditshme.
Nuk e kam pritur që do të ndodhte ajo që më ndodhi mua, por as që kjo gjendje do të vazhdonte kështu”, ka thënë Kastrati.
Ai gjithashtu ka përmendur përpjekjet e tij për të kërkuar llogari nga institucionet, përfshirë gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale, por ka theksuar se është përballur me neglizhencë dhe injorim.
Kastrati ka shprehur se për rreth gjashtë muaj kishte kërkuar ndihmë nga institucione dhe organizata të ndryshme, por pa arritur ta shpëtonte vajzën e tij. “Ne nuk kemi arritur ta shpëtojmë një jetë, jetën e fëmijës tonë, një jetë nëne, e cila ka lënë pas një fëmijë, për shkak të neglizhencës totale të institucioneve, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, gjykata dhe prokuroritë”, ka deklaruar ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
