Ish-missi dhe këngëtarja e njohur, Drenusha Latifi, ka reaguar publikisht ndaj këngëtares dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Pejë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Latifi e ka kritikuar Llalloshin për atë që e quan mungesë të reagimit publik për këtë rast, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e saj si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës. “Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, e ka nisur reagimin e saj Drenusha.
Ajo ka theksuar se në një rast të mëparshëm, kur Llalloshi kishte kërkuar mbrojtje, institucionet kishin vepruar, duke e krahasuar këtë situatë me atë të Arlindës, e cila, sipas raportimeve, kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të humbiste jetën. “Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë.
Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka shkruar ajo.
Drenusha gjithashtu ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë publike të Llalloshit në kuadër të detyrës së saj parlamentare, duke theksuar: “Ti je anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore. Çfarë vlere ka kjo pozitë nëse zëri yt nuk dëgjohet kur gratë vriten?
Pushteti nuk është privilegj për veten, por përgjegjësi për t’i mbrojtur ato që nuk kanë zë.” Në fund të reagimit, Drenusha ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po funksionon përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj deputetes. “Parlamentin e keni bo sfilat, defilim, pos unë në vakt Missllakun tem e kom majt kshtu ani ju Pharlamentin.
A je tu e qalldis najkah…..!”, ka përfunduar ajo.
Reagimi i Drenusha Latifit vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, rast që ka nxitur reagime të shumta publike, ndërsa më 28 tetor në Prishtinë u mbajt një protestë për të kërkuar drejtësi për të ndjerën dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
