Mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka dërguar një mesazh të qartë dhe të fortë drejt Real Madridit para përballjes historike në El Clasico, duke theksuar se nuk ndjen asnjë simpati për rivalët e përjetshëm.
Futbollisti spanjoll ka theksuar se mungesa e Vinicius Juniorit, i cili është i pezulluar për ndeshjen në Camp Nou, nuk do ta ndryshojë aspak dëshirën e tij për të fituar. “Një Real Madrid më i dobët pa Viniciusin?
Nuk më intereson. Është Real Madridi dhe, në fund të fundit, do të jap maksimumin, pavarësisht se kush luan”.
Gavi nuk është ndalur këtu; ai ka zbuluar gjithashtu qëndrimin e tij ndaj lojtarëve të skuadrës madrilene dhe rëndësinë që ka fitorja për tifozët katalanas. “Me disa lojtarë shkoj më mirë, me disa të tjerë më keq, por në fushë nuk më pëlqen asnjëri prej tyre.
Shpresoj vetëm t’ua dhuroj tifozëve fitoren, sepse e meritojnë”.
Ai ka folur edhe për vështirësitë që përjeton kur është i lënduar, duke pranuar se e ka të vështirë t’i ndjekë ndeshjet nga jashtë fushës. “Kur jam i lënduar, vuaj shumë duke i shikuar ndeshjet.
Nuk mund ta duroj t’i shikoj”, përfundoi mesfushori.
