Vushtrria Bojkoton Ndeshjen ndaj Ballkanit në Superligën e Kosovës
Ndeshja mes Vushtrrisë dhe Ballkanit ishte e para e planifikuar për sot (e shtunë) në kuadër të javës së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, por vendasit nuk u paraqitën në fushë.
Vushtrriasit ishin caktuar të ishin nikoqirë të therandasve në ndeshjen që pritej të zhvillohej në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë nga ora 14:00.
Megjithatë, ekipi vendas nuk doli fare në fushë për shkak të bojkotit nga futbollistët, të cilët e arsyetojnë këtë veprim me mungesën e pagave të pa dhëna nga ana e kryesisë.
Edhe pse klubi i Vushtrrisë reagoi zyrtarisht dhe njoftoi për një marrëveshje me lojtarët për shlyerjen e borxhit pas disa ditësh, ata vendosën të mos luanin, duke e pamundësuar zhvillimin e ndeshjes.
Nga ana tjetër, lojtarët mysafirë dhe gjyqtarët dolën në fushë për të pritur ekipin vendas, por pasi nuk u paraqitën, ata u kthyen në zhveshtore, duke ia lënë vendimin komisionit pranë FFK-së.
Sipas rregulloreve, Ballkani pritet ta fitojë këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3-0.

