Një grup qytetarësh është mbledhur para Qeverisë së Kosovës për të shprehur kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij.
Organizatori, Durim Aliu, theksoi se numri i vogël i protestuesve nuk i demoralizon ata dhe as nuk i ndalon nga vendimi për të protestuar. ‘Ne e dimë që shumica nuk guxojnë të dalin këtu për arsye se rrezikojnë vendin e tyre të punës.
Ne e dimë që ky regjim i Albin Kurtit nuk është shumë larg për të ikur nga këtu.
Nuk do të ndalemi me protesta, do ta mbushim sheshin me qytetarë,’ tha ai.
Protestuesi Princ Zogaj, gjatë fjalës së tij, kërkoi llogaridhënie nga Qeveria, duke shprehur shqetësimin se qytetarët po e humbin durimin dhe rinia po e humb shpresën për të ardhmen në Kosovë.
Ai kritikoi situatën në arsim, duke përmendur rezultatet e PISA-s, kushtet e studentëve dhe mungesën e mundësive për punësim. ‘Veç dua t’i bëj dy pyetje kësaj qeverie të dështuar: Deri kur do të na mashtroni me premtimet?
Deri kur do të na kërkoni durim, kur qytetarët po e humbin durimin, kur rinia po e humb shpresën dhe Kosova po i humb të rinjtë?
Sot nuk kemi ardhur këtu për t’ju dëgjuar, por kemi ardhur që t’ju kërkojmë llogari!
Le të flasim pak për arsimin.
Rezultatet e PISA tregojnë që arsimi në Kosovë është pranë fundit.
Po ashtu, studentët po përballen me kushte të vështira, bursa të pamjaftueshme, mungesë të praktikës profesionale dhe kushte për punësim.
Na flisni për ardhmen e Kosovës, por çfarë të ardhme po na afroni?
Diplomë pa perspektivë dhe vite studimi pa garanci për punë.
Dhe pastaj po çuditeni pse po ikin të rinjtë!
Kur nga viti 2020 deri në vitin 2026 Kosovën e kanë lëshuar mbi 200,000 të rinj e të reja.
A e kuptoni çfarë do të thotë kjo?
Një vend që i humb gjeneratat e veta nuk mund të mburret me fjalime për zhvillim.
Po ashtu, le të flasim pak për mbrojtjen, ku rasti tragjik i motrës sonë Arlinda na ka treguar që zinxhiri mbrojtës i Kosovës është i dështuar, dhe kjo nuk mund të përfundojë vetëm me fjalime institucionale.
Gratë tona nuk kanë nevojë për ngushëllime, kanë nevojë për mbrojtje, për së gjalli!
Po ashtu, le të flasim pak për UÇK-në.
Nuk mund të lejojmë që çështja e ish-krerëve tanë të trajtohet në heshtje dhe pa angazhim institucional; ku nëse dënimet konfirmohen edhe në apel, pasojat mund të rëndojnë mbi historinë e luftës tonë të pastër çlirimtare, mbi mënyrën se si vlerësohet rruga e Kosovës dhe barazimi me shtetet e tjera të botës,’ përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
