Këngëtarja Beatrix Ramosaj ka reaguar publikisht në mbështetje të Drenusha Latifit, pas deklaratave të kësaj të fundit për sfidat ligjore që po përballet prej vitesh lidhur me kujdestarinë e fëmijëve.
Reagimi i Beatrix vjen në një kohë kur rasti tragjik i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje dhunën ndaj grave dhe thirrjet për mbrojtje më të madhe nga institucionet përgjegjëse.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Drenusha ka treguar se tashmë tri vjet po përballet me procese gjyqësore, duke pritur që kujdestaria e fëmijëve t’i besohet zyrtarisht asaj, ndonëse, siç ka thënë, është ajo që kujdeset e vetme për ta.
Fjalët e saj kanë prekur Beatrixin, e cila nuk ka qëndruar indiferente ndaj situatës.
Këngëtarja ka shprehur dhimbjen për atë që Drenusha po kalon, duke theksuar se është vërtetë e rëndë që një grua, pas gjithë përvojave të vështira që ka përjetuar, duhet të vazhdojë të luftojë për qetësinë dhe sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Beatrix ka theksuar se asnjë grua nuk duhet të detyrohet ta dëshmojë vazhdimisht dhimbjen e saj vetëm që të merret seriozisht.
Sipas saj, Drenusha meriton të dëgjohet, të mbrohet dhe të arrijë më në fund të ndihet e sigurt.
Në reagimin e saj, artistja ka përcjellë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për shoqërinë dhe institucionet, duke kërkuar që gratë të mbrohen para se të jetë tepër vonë. “Mbrojini gratë tona sa janë ende gjallë.
Mos prisni që thirrjet e tyre për ndihmë të shndërrohen në fjalë që i lexojmë gjatë zisë,” ka shkruar Ramosaj.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
