Koncerti i tenorit kosovar Rame Lahaj në Düsseldorf është shitur plotësisht, vetëm një ditë para mbajtjes së tij.
Lajmi u bë i ditur nga vetë artisti përmes një postimi në Facebook, ku shprehu falënderimet për bashkatdhetarët për mbështetje. “Düsseldorf SOLD OUT!
Bashkatdhetarë, faleminderit për besimin e dashninë!”, shkroi Lahaj, duke shprehur mirënjohje edhe për sponsorët dhe partnerët e turneut “PASSION & ORIGIN”.
Koncerti do të mbahet më 30 tetor në Robert-Schumann-Saal, ku Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble.
Turneu “PASSION & ORIGIN” filloi më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.
Programi ndërthur këngën shqiptare me repertorin ndërkombëtar, përfshirë muzikën italiane, chanson franceze dhe këngë nga kinemaja.
Me këtë turne, tenori ka si synim të prezantojë muzikën shqiptare për publikun e diasporës dhe audiencën ndërkombëtare.
Pas Düsseldorf-it, turneu do të vazhdojë në Vjenë më 8 nëntor, në Wiener Konzerthaus, ndërsa më 13 dhjetor Lahaj do të performojë në Toronto të Kanadasë.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
