Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Vigan Qorrolli, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nevojë strategjike, një garanci për paqen dhe një drejtim historik për shtetin tonë.
Pas takimit me delegacionin e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Qorrolli ka deklaruar se siguria e Kosovës, stabiliteti i rajonit dhe paqja evropiane janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka treguar se është një faktor i paqes, një partner i besueshëm për botën demokratike dhe një shtet që ndan të njëjtat vlera me NATO-n.
Sipas Qorrollit, anëtarësimi në Aleancë paraqet një çështje të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe përbën një investim në një rend ndërkombëtar ku mbrohet liria, respektohen kufijtë dhe ruhet paqja.
Ai ka shkruar në Facebook se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një qëllim i përbashkët, i mbështetur në partneritetin me aleatët, duke theksuar se një Kosovë e sigurt kontribuon në forcimin e paqes në tërë rajonin.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
