Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka udhëhequr sot mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në këtë mbledhje, ai njoftoi se janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj, si dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës. “Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës e 28 shtatorit shprehu vullnetin tonë të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.
Në vijim të saj dhe të vendimit të marrë nga Qeveria më 14 tetor, sot kryesova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka shkruar ai në Facebook.
Konjufca theksoi se angazhimi i ekipit është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel.
Ai gjithashtu nënvizoi se do të mbrojnë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojnë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj. “UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.
Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
