Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në një takim Olivier Onidi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME) të Komisionit Evropian dhe Koordinator për Zonën Schengen.
Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi bashkëpunimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe DG HOME, si dhe për progresin e Republikës së Kosovës në kuadër të agjendës për integrimin evropian.
Po ashtu, u theksua avancimi i reformave në fushat e migrimit, menaxhimit të kufirit, azilit dhe sigurisë.
Ministri Sveçla shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që DG HOME ofron në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi rëndësinë e fillimit të zbatimit të projekteve të reja në kuadër të IPA-s, pas miratimit të marrëveshjeve përkatëse financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Më tej, Ministri prezantoi progresin në finalizimin e Strategjisë së re për Migrim dhe Planit të Veprimit, si dhe Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar (2026-2030), projektligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror, dhe masat e ndërmarra për zbatimin efektiv të Ligjit për të Huajt.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe liberalizimit të vizave, ku u theksua funksionimi i mekanizmave të monitorimit dhe rënia e vazhdueshme e numrit të aplikimeve për azil nga qytetarët e Kosovës në shtetet e BE-së.
Ministri Sveçla riafirmoi përkushtimin për zbatimin e reformave dhe rekomandimeve të BE-së, si dhe thellimin e bashkëpunimit me DG HOME dhe agjencitë e saj, në funksion të forcimit të sigurisë, menaxhimit efektiv të migrimit dhe avancimit të Republikës së Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
