Lëvizja e mbështetur nga studentët në Serbi, e cila sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare ka arritur të mposht Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, ka filluar aksionet për pastrimin e hapësirave publike dhe po përgatitet për formimin e qeverisë së re.
Kjo fitore erdhi pas dy vitesh protestash, të cilat nisën pas tragjedisë së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Të hënën, studentët dhe qytetarët iu bashkuan një aksioni për pastrimin e një parku pranë ndërtesës së Presidencës në Beograd.
Ky park kishte qenë i zënë për më shumë se një vit nga një kamp i ngritur nga mbështetësit e qeverisë.
Brenda disa orësh, parku u pastrua dhe këndi i lojërave u bë sërish i përdorshëm për fëmijët.
Dhjetëra qytetarë morën pjesë gjithashtu në pastrimin e një tuneli në qendër të Beogradit, muret e të cilit ishin mbushur me mbishkrime nga palët kundërshtare politike.
Ndër mbishkrimet e shfaqura nëpër qytet ishin “Siptar”, “FCK BLK”, dhe “FCK SNS”.
Grafiti i parë përdoret për fyerjen dhe nënçmimin e shqiptarëve, ndërsa i dyti iu drejtohej protestuesve, të cilët autoritetet i kishin cilësuar si bllokues.
I treti shënjestronte Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit.
Ndërkohë, rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë se lista e mbështetur nga studentët ka siguruar mbi 52 për qind të votave, që përkthehen në rreth 140 nga 250 ulëset në parlament.
Ky rezultat do t’i mundësonte asaj të qeveriste e vetme.
Megjithatë, lëvizja duhet të presë certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe konstituimin e parlamentit, përpara se të formojë qeverinë dhe të emërojë kryeministrin.
