BallinaSportLeon Parduzi: Talenti i Ri i Holstein Kieli që Po Shkëlqen në...

Leon Parduzi: Talenti i Ri i Holstein Kieli që Po Shkëlqen në Bundesliga 2

- Advertisement -

Holstein Kieli bëri një investim të madh duke paguar 2.5 milionë euro për reprezentuesin amerikan John Tolkin në janar të vitit 2025, duke e bërë atë transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit.

Megjithatë, gjatë fitores 3-0 ndaj Dresdenit, mbrojtësi i majtë qëndroi për 90 minuta në stol, ndërsa vendin e tij në formacion e zuri 19-vjeçari Leon Parduzi, një nga zbulimet më të mira të skuadrës këtë sezon.

Parduzi u transferua nga Karlsruher në verën e vitit 2025.

Edhe pse kishte pasur paraqitje të shkëlqyera në Bundesligën U19, ai nuk kishte marrë mundësi të mjaftueshme për të ecur përpara në klubin e Baden-Württembergu.

Ndryshe nga bashkëlojtarët e tij Louey Ben Farhat, Danyal Zor dhe Rafael Pinto Pedrosa, Parduzi, i lindur në Achern, vendosi të largohej nga Karlsruheri për të ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist profesionist.

Megjithatë, edhe te Holstein Kieli, mbrojtësi i talentuar iu desh të priste deri në xhiron e 34-të të sezonit të kaluar për të debutuar në Bundesliga 2.

Gjatë kësaj kohe, ai fitoi përvojë me ekipin rezervë të klubit në Oberliga, niveli i pestë i futbollit gjerman, ku shpejt u bë e qartë se kishte potencial për më shumë.

Pas një faze përgatitore mbresëlënëse me ekipin e parë, Parduzi, i cili përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, mori mundësinë të zëvendësonte Tolkinin e lënduar në fillim të sezonit.

Paraqitjet e tij ishin kaq të mira sa trajneri Tim Walter vendosi ta mbante në formacionin startues edhe pas rikuperimit të amerikanit. “Leoni bëri mirë javën e kaluar dhe sot ishte sërish shumë i mirë”, kishte thënë trajneri.

Deri më tani, Parduzi e ka shpërblyer besimin e trajnerit.

Revista gjermane “Kicker” e vlerëson atë si futbollistin më të mirë të Holstein Kielit këtë sezon, duke marrë parasysh notat e paraqitjeve.

Ai nuk po i shmanget konkurrencës me Tolkinin dhe japonezin Niko Takahashi, i cili është i huazuar. “E di që John dhe Niko janë dy lojtarë shumë cilësorë në pozitën time.

Konkurrenca me ta më motivon jashtëzakonisht shumë.

Duhet të jap 110 për qind çdo ditë”, ka thënë Parduzi.

Futbollisti i Kosovës po i dëshmon fjalët e tij edhe në fushë.

Në aspektin defensiv, ai po tregon se është njëri prej mbrojtësve të krahut më të mirë në ligë, duke fituar shumë duele mbrojtëse.

Parduzi është gjithashtu mjaft i përfshirë në ndërtimin e aksioneve.

Ai prek topin mesatarisht afro 80 herë për 90 minuta, duke u renditur në mesin e lojtarëve më të mirë të ligës në këtë aspekt.

Saktësia e pasimeve të tij arrin në 84 për qind, ndërsa në pasimet e shkurtra është rreth 90 për qind.

Megjithatë, deri tani ai ka luajtur në mënyrë disi konservatore dhe rrallë është përfshirë në fazën e fundit të sulmit.

Vetë mbrojtësi e pranon se ka ende hapësirë për përmirësim. “Kjo përfshin edhe goditjen drejt portës kur kam mundësi, apo dërgimin e një krosimi të mirë”, ka theksuar ai.

Deri më tani, Parduzi ka luajtur vetëm për Kombëtaren U21 të Kosovës.

Nëse vazhdon me formën aktuale, një ftesë nga Kombëtarja A nuk do të ishte befasi, ndoshta edhe që në nëntor, për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Irlandës dhe Izraelit.

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments