Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të gatshme të nisin operacione të reja ushtarake, potencialisht në një shkallë të gjerë, kundër Iranit brenda 96 orëve pas marrjes së një urdhri nga presidenti Donald Trump, sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN.
Sipas burimeve, në rajon tashmë janë dislokuar forca të mjaftueshme për të realizuar sulmet e mundshme.
Operacionet e reja pritet të shkojnë përtej goditjeve të kufizuara ndaj radarëve, sistemeve të lëshimit të raketave dhe objektivave të tjera iraniane që mund të rindërtohen shpejt, siç ka ndodhur që kur Trump pezulloi operacionet e plota luftarake në fillim të këtij viti. “Do të jetë një operacion i madh”, tha një nga zyrtarët për CNN.
Edhe zyrtarë të tjerë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, të njohur me diskutimet e brendshme ushtarake, kanë shprehur mendimin se çështja mund të jetë më shumë se kur do të jepet urdhri për sulm, sesa nëse ai do të jepet.
Sipas tyre, vendimi mund të merret para fundit të vitit, por më shumë gjasa pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Megjithatë, zyrtarët theksojnë se Trump ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar.
Ata kujtojnë se në të kaluarën presidenti ka shfaqur prirje drejt veprimeve të caktuara ushtarake, por më pas është tërhequr në momentin e fundit.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte raportimin.
