Ministri Sveçla në Takimin Ndërkombëtar për Parandalimin e Varësisë ndaj Drogave në Itali
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mori pjesë në një takim të nivelit të lartë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë ndaj drogave, i cili u mbajt në komunitetin San Patrignano në Itali, në kuadër të nismës së Koalicionit Evropian Kundër Drogave.
Në një postim në Facebook, Sveçla informoi se takimi u udhëhoq nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe përfshiu përfaqësues të lartë evropianë. “Në fjalën time në emër të Republikës së Kosovës, riafirmova përkushtimin tonë për një qasje që ndërthur sigurinë publike me mbrojtjen e shëndetit publik.
Përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, po forcojmë masat parandaluese, trajtimin dhe rehabilitimin, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes së të rinjve dhe fuqizimit të komuniteteve,” shkroi Sveçla.
Gjatë takimit, u miratua edhe një Deklaratë e Përbashkët, e cila riafirmoi zotimin politik dhe institucional për veprim të përbashkët në parandalimin e përdorimit të drogave dhe mbrojtjen e të rinjve. “Lufta kundër drogave kërkon angazhim të vendosur kundër rrjeteve kriminale, por edhe mbështetje për personat që përballen me varësinë.
Rezultatet e Policisë së Kosovës, me 750 raste të iniciuara dhe 961 të dyshuar të arrestuar gjatë vitit 2025, dëshmojnë angazhimin tonë në luftimin e këtij fenomeni,” theksoi ministri.
Sveçla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë përmes shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar. “Qëllimi ynë është i përbashkët: mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, dhe ndërtimi i një shoqërie më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për brezat që vijnë,” përfundoi Sveçla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

