Bota

Izraeli Nisi Operacionin Ushtarak në Hebron Pas Sulmit të Armatosur

Izraeli ka filluar një operacion ushtarak në zonën e Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një sulmi të armatosur ku dy ushtarë izraelitë humbën jetën, sipas njoftimeve nga ushtria dhe shërbimi i inteligjencës Shin Bet.

Forcat izraelite kanë nisur kontrolle të detajuara në këtë zonë, me qëllim identifikimin dhe shkatërrimin e infrastrukturës që, sipas tyre, përdoret nga grupet terroriste, si dhe sekuestrimin e armëve dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve.

Operacioni përfshin ushtrinë, shërbimet e inteligjencës, policinë kufitare dhe administratën civile.


- Advertisement -

Autoritetet izraelite njoftojnë se aksioni do të përqendrohet në zonën nga ku vepruan sulmuesit dhe pritet të zgjasë disa ditë.

Sipas ushtrisë izraelite, dy ushtarë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit pranë Hebronit të premten, ndërsa dy palestinezët e dyshuar për sulmin gjithashtu humbën jetën.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se forcat e sigurisë kanë parandaluar një sulm të rëndë dhe njoftoi masa të reja kufizuese ndaj territorit palestinez.

Ai urdhëroi bllokimin e Hebronit dhe përgatitjen për mbylljen e të gjitha pikëkalimeve drejt Bregut Perëndimor.

Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se ushtria do të hyjë në vendbanimin nga vijnë sulmuesit, do të evakuojë banorët dhe do të kontrollojë shtëpitë një nga një, me synimin për të shkatërruar atë që Izraeli e cilëson si infrastrukturë terroriste.

Masat përfshijnë gjithashtu vendosjen e pikave të kontrollit në rrugë dhe kufizimin e lëvizjes në zonën e Hebronit dhe Halhulit.

Banorët e zonës së prekur do të lejohet të largohen përmes tri daljeve të caktuara, pasi të merren në pyetje.

Ushtria izraelite ka njoftuar se po zhvillon operacione kundër terrorizmit edhe në dhjetëra lokacione të tjera në Bregun Perëndimor.

Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Sot, në këtë territor jetojnë rreth tre milionë palestinezë dhe afërsisht 700 mijë kolonë izraelitë.

Situata e sigurisë është përkeqësuar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës që pasoi në Rripin e Gazës.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga ajo kohë, më shumë se 1.100 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë operacioneve ushtarake izraelite, përleshjeve të armatosura dhe sulmeve.


- Advertisement -