Urgjenca për Miratimin e Projektligjit për Byro Shtetërore të Verifikimit të Pasurisë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kërkuar miratimin e shpejtë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai theksoi se procesi ka hasur në vonesa për shkak të kundërshtimeve dhe kontestimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë, duke e akuzuar se Byroja është përdorur si një mjet elektorale dhe se duhet të shndërrohet në politikë publike.
Rrustemi tha se ky projektligj është ndër më të diskutuarit në jetën parlamentare dhe politike të Kosovës.
Ai e përmendi se që nga viti 2022, ky ligj është shqyrtuar në Kuvend, është kontestuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë tri opinione nga Komisioni i Venecias. “Natyrisht që pas miratimit në lexim të parë, Komisioni për Legjislacion ka themeluar grupin punues dhe ka shqyrtuar nën për nën, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve, por edhe të akterëve të tjerë institucionalë, përfshirë edhe shoqërinë civile.
Duhet ta themi një gjë: ky është një ndër projektligjet më të diskutuara në jetën tonë parlamentare e politike që është e vërteta”, tha ai.
Rrustemi vlerësoi se grupi punues ka trajtuar secilin element të projektligjit, përfshirë kërkesat e shoqërisë civile, dhe theksoi se Kosova është vonuar në themelimin e Byrosë. “Jemi vonuar, jemi vonë me, me këtë ligj.
Tashmë do të duhej që buroja të ishte themeluar dhe do të fillonte të trajtonte rastet e para të verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe të konfiskimit të kësaj pasurie”, tha ai.
Sipas Rrustemit, Byroja ka për qëllim të luftojë keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga zyrtarët e lartë për përfitime personale, duke mundësuar verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet. “Po, natyrisht, adresimi i parë dhe më i rëndësishëm është adresimi i një fenomeni, i një shqetësimi të vazhdueshëm në jetën tonë institucionale dhe publike, që ka qenë shpërdorimi i detyrës zyrtare nga zyrtarët e lartë për t’u pasuruar në kurriz të pasurisë së shtetit”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se Byroja duhet të themelohet sa më shpejt, por ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si e ka përdorur këtë nismë gjatë proceseve zgjedhore. “Byroja, edhe si institucion, mirëpo edhe si nisje legjislative, kurrë nuk ka qenë qëllim në vetvete i kësaj qeverie”, tha ai.
Tahiri theksoi se ka kontribuar në grupin punues me synimin që projektligji të përmirësohet dhe të mos vazhdojë të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese. “Nuk duhet të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese.
Kam dhënë kontributin e Aleancës, në mënyrë që të përfundojë kjo sagë”, tha ai.
Projektligji është shqyrtuar gjatë javës nga grupi punues pas miratimit në lexim të parë.
Pas përfundimit të punës së grupit, drafti është miratuar në Komisionin për Legjislacion dhe pritet të shqyrtohet edhe nga komisionet e tjera të përhershme para se të procedohet në Kuvend për votim në lexim të dytë.
Gjatë këtij procesi, organizatat e shoqërisë civile, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kanë kërkuar ndryshime në projektligj, duke ngritur çështje që lidhen me pavarësinë e Byrosë, garancitë gjyqësore, të drejtat e qytetarëve dhe transparencën.
IKD-ja ka rekomanduar që drejtori i Byrosë të zgjidhet në Kuvend me së paku 61 vota, me qëllim të kufizimit të ndikimit politik.
Po ashtu, ka kërkuar që barra e provës të mos kalojë automatikisht te qytetari pa kontroll paraprak nga gjykata dhe që specializimi gjyqësor për këtë fushë të përfshijë edhe Gjykatën e Apelit.
Ndër rekomandimet e IKD-së janë edhe përcaktimi i një pragu prej 25 mijë eurosh mospërputhje për nisjen e verifikimit të pasurisë, si dhe rregullimi i së drejtës për kompensim në rastet kur masat e Byrosë u shkaktojnë dëme materiale qytetarëve apo bizneseve pa përfunduar me konfiskim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

