Zbatimi i Dëmshpërblimeve për Viktimat në Rastin e Salih Mustafës: Sfidat dhe Procedurat

Në procesin e Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, morën pjesë tetë viktima.

Përveç vendimit dënues ndaj Mustafës, trupi gjykues ka nxjerrë gjithashtu vendimin për zhdëmtimin e këtyre viktimave, me një shumë totale prej 207 mijë eurosh.

Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, kompensimi është në proces të zbatimit.


- Advertisement -

Angela Griep, zëdhënëse e këtyre dhomave, tha: “Urdhri i dëmshpërblimeve në rastin Salih Mustafa është në proces të zbatimit.

Viktimat kanë marrë një përqindje të dëmshpërblimeve të urdhëruara për to.

Gjyqtari i Vetëm i ngarkuar me zbatimin e urdhrit të dëmshpërblimeve i ka urdhëruar gjithashtu Regjistruesit të shqyrtojë rrugë të tjera për zbatimin e plotë të urdhrit të dëmshpërblimeve, duke përfshirë programin e kompensimit të viktimave në Kosovë.” Megjithatë, zbatimi i plotë i këtij vendimi vazhdon të përballet me probleme.

Mustafa nuk ka mundësi financiare për të kompensuar shumën totale të këtij vendimi, prandaj Dhomat e Specializuara kanë kërkuar që kompensimi të realizohet nga ana e institucioneve të Kosovës për disa vite.

Kjo kërkesë vazhdon për të paktën dy vite. “Gjyqtari i Vetëm i ka kërkuar më tej Qeverisë së Kosovës të krijojë një mekanizëm kompensimi për të kompensuar viktimat e krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Si mjet të fundit, ai vuri në dukje se ekziston mundësia që Dhomat e Specializuara të marrin donacione vullnetare jo të destinuara me qëllim të kontributit në pagesën e dëmshpërblimeve të dhëna viktimave me anë të një urdhri përfundimtar dëmshpërblimi të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Gjyqtari i Vetëm theksoi se mundësia e eksplorimit të rrugëve të tjera nuk e liron në asnjë mënyrë Salih Mustafën nga detyrimi i tij për të kompensuar viktimat, as nuk e liron Kosovën nga përmbushja e detyrimeve të saj ndaj viktimave dhe krijimi i një mekanizmi dëmshpërblimi,” shtoi Griep.

Televizioni ka tentuar të marrë informacion nga Ministria e Drejtësisë nëse ka gatishmëri për krijimin e këtij mekanizmi, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Më parë, ky dikaster kishte theksuar se kompensimi i viktimave në proceset tek Gjykata Speciale nuk hyn në fondin aktual për kompensimin e viktimave.

Në këtë kontekst, kërkohet që të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë personat që kanë marrë statusin e viktimës në çdo instancë të drejtësisë. “Jo vetëm viktimat e Dhomave të Specializuara të Kosovës që duhet të kompensohen, por për të gjitha proceset duhet të vlejë edhe për ato procese që gjykohen në Kosovë dhe që janë gjykuar edhe më herët nga UNMIK-u, dhe nga EULEX-i, dhe nuk duhet të kemi favorizime të ndonjë Gjykate.

Të gjitha viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë,” deklaroi Amer Alija nga fondi për të drejtën humanitare.

Salih Mustafa është i dënuari i parë nga Specialja për krime lufte.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *