Pas dënimit kolektiv prej 81 vjetësh burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, beteja juridike ka kaluar në dy fronte.
Vëmendja është përqendruar në Gjykatën e Apelit në Hagë dhe përpjekjet për të ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara në Prishtinë, por mundësitë reale për të ndikuar në këtë proces po vlerësohen me skepticizëm të thellë.
Ekspertët e fushës së drejtësisë theksojnë se sovraniteti juridik i Kosovës është deleguar jashtë, që nga viti 2015, duke e bërë praktikisht të pamundur çdo ndërhyrje shtetërore. “Kjo është punë e madhe të thonë se Gjykata Speciale mund të çbëhet, mund të ndërpritet puna e Gjykatës Speciale apo eventualisht çfarë kam dëgjuar teori se Gjykata Speciale të kthehet dhe të veprojë brenda territorit tonë.
Këto janë gjëra që nuk ndodhin sepse në kohën që ne jetojmë, kur bën një marrëveshje ndërkombëtare dhe de- delegon sovranitetin si shtet juridik në një shtet tjetër, më nuk ke kurrfarë kontrolli në Gjykatën Speciale,” ka thënë avokati Tomë Gashi.
Me dyert e politikës dhe ndryshimeve ligjore që duken të mbyllura, e vetmja shpresë mbetet shkalla e dytë e gjykimit.
Sidoqoftë, edhe përballja në Apel ngre dyshime të mëdha.
Njohës të tjerë të proceseve gjyqësore theksojnë rëndësinë e profilit të gjyqtarëve që do të marrin vendimin përfundimtar, duke bërë thirrje që mbrojtja e ish-krerëve të jetë shumë aktive dhe të studiojë me kujdes përvojën e trupit gjykues. “Të gjithë ata gjyqtarë të cilët kemi pasur edhe ne dyshime gjatë gjykimeve janë transferuar, shumica e tyre në Gjykatën e Apelit.
Këtu, unë kam disa dyshime se ata nuk do të jenë objektivë.
Megjithatë, mbrojtja duhet të jetë aktive dhe të studiojë profilin e këtyre gjyqtarëve, eksperiencën e tyre dhe qëndrimete politike paraprake,” ka thënë avokati Kadri Osaj.
Pavarësisht skepticizmit për funksionimin e Speciales, të dy ekspertët e drejtësisë besojnë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, duke argumentuar se shkalla e parë dështoi të paraqesë prova bindëse për krimet e pretenduara.
Nga ana tjetër, presioni politik nga Partia Demokratike e Kosovës po rritet.
Nisma e tyre ligjore synon të ndërhyjë në thelbin e mandatit të Speciales, duke përfshirë ndryshime në periudhën kohore që mbulon gjykata, kufizimin e dënimeve me maksimumin 15 vjet dhe që vuajtja e dënimit të bëhet në Kosovë, duke hapur kështu rrugë për falje presidenciale.
Në këtë udhëkryq të vështirë, Kosova po lufton me kohën për të shpëtuar krerët e luftës çlirimtare nga një dënim i përhershëm historik.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





