Rreziku i Sigurisë për Nxënësit në Has: Mungesa e Trotuareve dhe Sinjalistikës

Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe trotuareve paraqet një rrezik të madh për nxënësit dhe stafin mësimdhënës në disa shkolla të Hasit, Prizren.

Banorët e zonës vënë në dukje se automjetet qarkullojnë me shpejtësi të lartë pranë objekteve shkollore, e në disa raste, ata janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të rritur sigurinë.

Në fshatin Bregdri, prindërit shprehin shqetësim për mungesën e trotuarit, duke e quajtur një problem të kahmotshëm që nuk është adresuar.


- Advertisement -

Banori Fatbardh Qollaku, thekson se është kërkuar ndërhyrja e Komunës së Prizrenit për ndërtimin e trotuarit, por projekti mbetet i pa realizuar. “Këtë problem e kemi qysh moti, çështjen e trotuarit.

Kemi bërë kërkesë ndër fshatrat e para të Hasit për me e realizu këtë projekt, por nuk u bë asnjëherë.

Do të thotë, Komuna e Prizrenit e ka përfundu deri në fshatin Krajk.

Na janë rreziku fëmijët, kemi pasur shumë raste.

Vetëm vitin e kaluar, aty ku e kam shtëpinë unë, ka pasur katër aksidente”, shprehet Qollaku.

Situata bëhet edhe më problematike gjatë reshjeve të shiut, kur lëvizja e këmbësorëve në këtë pjesë të rrugës bëhet më e rrezikshme.

Kreshnik Qollaku, prind i tre fëmijëve që ndjekin mësimin në shkollë, thotë se shumë herë janë detyruar t’i dërgojnë fëmijët me automjete për shkak të mungesës së kushteve të sigurta për ecje. “Jemi paksa të lodhur me shtetin apo komunën, thuaj si të duash, sepse s’kemi kujt me ia lënë fajin.

Faji hidhet herë andej e herë këndej.

Zakonisht është problem me trotuar, edhe i biem edhe i marrim fëmijët me makina.

Sidomos kur ka shi, është shumë rrezik”, thotë ai.

Problemet e sigurisë paraqiten edhe pranë shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajk, ku mësimin e ndjekin fëmijë nga mosha trevjeçare deri në klasën e nëntë.

Drejtori i kësaj shkolle, Hemë Çoçaj, thekson se vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet që të ndërtohet një nënkalim ose mbikalim për nxënësit, pasi shkolla ndodhet pranë një rruge kryesore. “Ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe nga Drejtoria e Arsimit edhe Kuvendi Komunal që të ketë një nënkalim apo mbikalim, për shkak se nxënësit rrezikohen, sepse është rrugë kryesore, Krajkun dhe gjithë Hasin e lidh, kjo nuk është bërë”, shprehet ai.

Banorët e Hasit gjithashtu theksojnë se mungesa e sinjalistikës është evidente edhe në rrugët që janë ndërtuar me kontributin e vetë komunitetit.

Kryetarja e katër fshatrave, Marte Prekpalaj, nënvizon se banorët kanë mbledhur mbi 670 mijë euro për shtrimin e rrugës, por tani kërkojnë që ajo të bëhet më e sigurt për fëmijët. “Mbi 670 mijë euro i kemi mbledhur ne hasjanët dhe e kemi shtruar këtë rrugë vetë, por nuk e kemi shtruar këtë rrugë me na i mbyt fëmijët.

Tash shihni, as nuk ka sinjalizim, shenjat e shkollës, vijat e bardha janë shlyer.

Dy pengesa i kanë bërë fshatarët, ju tregojmë sa u kanë kushtuar”, deklaron Prekpalaj.

Nga Komuna e Prizrenit njoftojnë se vendosja e sinjalistikës pranë shkollave është duke u realizuar në faza.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, thekson se aktualisht po punohet në shkollat e qytetit të Prizrenit dhe më pas do të vazhdohet në fshatra. “Jemi duke punuar në shkollat në qytetin e Prizrenit.

Në të gjitha shkollat jemi duke vendosur shënjimin vertikal dhe horizontal.

Në momentin që do të përfundojë në qytet, do të vazhdojë edhe në fshatra.

Do të vendosen të gjitha shënjimet në afërsi të shkollave, në të gjitha rrugët ku është nevoja të vendosen”, thotë Ukimeri.

Deri në përfundimin e këtyre ndërhyrjeve, banorët kërkojnë masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë në rrugët pranë shkollave, veçanërisht në zonat ku qarkullohet me shpejtësi të lartë dhe ku mungojnë trotuaret dhe sinjalistika përkatëse.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *