Ministri Konjufca: Serbia kërcënim për rajon, BE-ja tolerante ndaj Beogradit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç tha, qasjen tolerante ndaj politikës së Beogradit.

Duke folur në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, Konjufca tha se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresive dhe se Beogradi po thellon bashkëpunimin ushtarak me Kinën.

Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare.


- Advertisement -

Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane.

Ai iu referua edhe deklaratës së një ministreje serbe, e cila kishte thënë se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta spastronte sërish Kosovën. Është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë.

Sipas Konjufcës, qasja e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë ka ndikuar në forcimin e kësaj politike të Beogradit.

Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë.

Konjufca foli edhe për orientimin e politikës së jashtme të Kosovës, duke theksuar mbështetjen e Prishtinës për aleancën perëndimore dhe Ukrainën në përballje me agresionin rus.

Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse.

Ai përmendi gjithashtu mbështetjen e Kosovës për Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, duke theksuar anëtarësimin në Bordin e Paqes të themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe angazhimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë.

Konferenca e Ambasadorëve, sipas Konjufcës, është një aktivitet i përvitshëm ku shqyrtohen rezultatet e diplomacisë së Kosovës dhe diskutohen zhvillimet ndërkombëtare që prekin interesat dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *