Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka paralajmëruar se çdo kërcënim ndaj vendit të tij do të pasohet nga një kundërpërgjigje e menjëhershme dhe e fuqishme, pa kufizime gjeografike. “Çdo nivel apo formë kërcënimi duhet të përballet me një përgjigje të menjëhershme, të fuqishme dhe pa kufizime gjeografike,” ka theksuar Khamenei.
Ky paralajmërim vjen në një moment kur SHBA-ja dhe Izraeli janë duke shqyrtuar mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit.
Sipas agjencisë shtetërore IRNA, Khamenei u takua të shtunën me komandantët e lartë ushtarakë, duke kërkuar përgatitje për një përshkallëzim të mundshëm.
Ai gjithashtu kërkoi përditësimin e listës së objektivave amerikane dhe izraelite, ndërsa theksoi se vetë Irani do të vendosë për kohëzgjatjen e çdo konflikti të ardhshëm.
Ndërkohë, pavarësisht retorikës kërcënuese, nga Teherani kanë ardhur sinjale për përparim në negociatat me Uashingtonin, të ndërmjetësuara nga Katari.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani mund të pranojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, duke e cilësuar dialogun amerikan si një zhvillim pozitiv.
Edhe kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, konfirmoi se kishte marrë një letër nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, me propozimin për negociata.
Megjithatë, Rezaei paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj Iranit do të pasohej nga “goditje shkatërruese” ndaj agresorit, duke përdorur armë të reja.
Teherani po ashtu këmbëngul që kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit të bëhet nën menaxhimin iranian dhe në një korridor të dakorduar me Omanin.
