Partitë politike në Kosovë nuk presin që ndryshimi i pushtetit në Serbi të sjellë ndonjë ndryshim të madh në qasjen e këtij shteti ndaj Kosovës.
Ata mendojnë se, pavarësisht zhvillimeve të reja politike në Serbi, qëndrimi ndaj Kosovës mund të mbetet i pandryshuar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka thënë se ngjarjet e fundit në Serbi mund të shënojnë fundin e epokës politike të Slobodan Millosheviçit, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e mendësisë ekspansioniste ndaj Kosovës. “Ndryshimet politike që ndodhën në Serbi janë një lajm i mirë për popullin serb, mendoj gjithashtu se sjellin një farë ndryshimi në kursin politik.
E kam thënë shkurt që ishte fundi i Millosheviçit.
Nuk është fundi i Vuçiçit, por fundi i epokës së Millosheviçit.
Por kjo nuk do të thotë që mendësia e Millosheviçit, ekspansioniste dhe pushtuese, mbi Kosovën, nuk do të vazhdojë të jetojë në skenën politike serbe,” tha ai.
Kraki ka shprehur shpresën që skena e re politike në Serbi do t’i qaset ndryshe Bashkimit Evropian, por theksoi se Kosova nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për demokratizimin e Serbisë. “Mëgjithatë, pres që skena e re politike atje të iu qaset ndryshe BE-së dhe interesave strategjike të Serbisë.
Sa i përket Kosovës, unë nuk mendoj se duhet të brengosemi shumë për çfarë ndodh atje, sepse nuk është misioni i Kosovës të demokratizojë Serbinë.
Ajo u takon atyre, siç e kam thënë shpesh, kur na kërkojnë ndonjë emisar diplomatë.
Kosova nuk ka çfarë t’i ofrojë për t’u normalizuar Serbia,” tha ai.
Kraki gjithashtu shprehu pritjen që Lista Serbe të ndryshojë qëndrim dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës. “Prandaj, tani, lista serbe që ka qenë zgjatimi i politikës së Vuçiçit në Kosovë, pres që të ndryshojë plotësisht qasjen e saj dhe të pajtohet se Kosova është e pavarur.
Kushdo që dëshiron të jetojë në Kosovë, është i mirëseardhur dhe ka mundësinë të jetojë qetësisht dhe paqësisht, madje është i privilegjuar, i diskriminuar pozitivisht,” tha ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se pritjet për ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës janë të ulëta.
Sipas tij, ngjarjet e fundit politike dhe protestat e studentëve nuk ofrojnë arsye për të pritur ndonjë ndryshim në qëndrim. “Në raport me Kosovën, pritjet për ndryshimin e qasjes janë shumë të ulëta.
Nëse i shikoni protestat e dy viteve të fundit dhe kërkesat e protestuesve, një nga çështjet kryesore ka qenë Kosova.
Platforma e Listës së Studentëve për Kosovën është dëshpëruese për qasjen dhe mendësinë e tyre.
Serbia, sipas vlerësimit tim, mbetet në një qark të mbyllur.
Koha do të tregojë nëse do të ndryshojë sipas pritjeve evropiane, por demokratizimi i Serbisë në raport me Kosovën ka pritje shumë të ulëta,” tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 25 tetor 2026, kanë sjellë një kthesë historike politike në Serbi.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) dhe organizatave monitoruese si CRTA, “Lista Studentore” ka shënuar një fitore bindëse, duke përmbysur pushtetin 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, ndërsa shqiptarët e Luginës siguruan dy mandate.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
