Një moment emocional është përjetuar në “San Siro” para derbit të Milanit mes Milanit dhe Interit, ku në qendër të vëmendjes ishte legjenda braziliane, Kaka.
Ish-mesfushori i Milanit u nderua me përfshirjen në “Sallën e Famës” së klubit, në një ceremoni të organizuar para fillimit të derbit.
Rikthimi në stadiumin ku kishte shkruar historinë e tij si futbollist dhe vlerësimi i marrë e emocionuan jashtëzakonisht shumë brazilianin, i cili nuk arriti t’i përmbante lotët.
Kaka është një prej emrave më të rëndësishëm në historinë moderne të Milanit.
Me fanellën kuqezi, ai fitoi trofe të shumtë, përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 2007, ndërsa në të njëjtin vit u shpall edhe fitues i “Topit të Artë”.
Ceremonia e nderimit të tij i dha një dimension të veçantë atmosferës para derbit, që përfundoi me fitoren e Milanit ndaj rivalit të përbetuar, Interit, me rezultat 3-1.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe arritën ta siguronin fitoren falë paraqitjes së mirë, duke e bërë mbrëmjen në “San Siro” edhe më të veçantë për tifozët e tyre.
