Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar gjatë mbledhjes së LVV-së për protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
Ai ka shprehur shqetësimin dhe përgjegjësinë e Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve. “Shqipëria që nga maji ka qenë e përfshirë në protesta.
Tash në tetor pati përplasje mes protestuesve e forcave të rendit.
Shqipërinë e duam gjithmonë.
Zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes e përgjegjësi, e gjithsesi me dashuri”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se progresi demokratik në Shqipëri është një përgjegjësi historike dhe se shqiptarët duhet të dëshmojnë se dinë të ndërtojnë drejtësi dhe demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe nuk i nënshtrohet oligarkisë. “Përparimi demokratik atje është përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësishme që ne shqiptarët të dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisjes që nuk i përkulet oligarkisë”, shtoi ai.
Kurti gjithashtu u shpreh për zërat që kanë përmendur LVV-në si pjesë të protestave në Shqipëri, duke theksuar se partia e tij është forcë qeverisëse dhe jo protestuese. “Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë VV-së këto protesta në Shqipëri.
Por, ne jemi forcë qeverisëse e jo protestuese.
Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave iu kemi dalë në ballë e s’kemi qëndruar anonim.
Kemi ndenjur larg instrumentalizimeve”, tha Kurti.
Ai përfundoi duke theksuar se “Ne jemi në krye të Qeverisë së Kosovës, dhe Kosova s’do të jetë kurrë rivale e motrës së saj.
Ne gëzohemi për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
