Senatori republikan, Ted Cruz, ka shprehur shqetësim për situatën e tanishme në Teksas, duke paralajmëruar se republikanët mund të përballen me humbje në të gjitha garat zgjedhore, përfshirë edhe atë për Senat.
Ai theksoi se pjesëmarrja e ulët e votuesve të partisë së tij është një faktor kyç në këtë situatë. “Teksasi ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të ngushtë dhe humbja e këtij shteti është një mundësi reale”, tha Cruz, edhe pse ai vetë shpreson që një skenar i tillë të mos ndodhë.
Ai vuri në dukje se votuesit tradicionalë të Partisë Demokratike po dalin në numra të mëdhenj, ndërsa mbështetësit e republikanëve nuk po mobilizohen si duhet. “Ne mund ta humbim Teksasin.
Po e përsëris, mund ta humbim Teksasin.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për garën për Senat.
Mund t’i humbim të gjitha garat zgjedhore në nivel shtetëror”, u shpreh ai.
Cruz paralajmëroi se nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, rezultati do të ishte shumë i keq për republikanët.
Ai e cilësoi Teksasin si shtetin më të madh dhe një prej më të rëndësishmëve për partinë e tij, duke theksuar se humbja e këtij shteti do të kishte pasoja të rënda. “Ekziston rreziku real që të zgjohemi një ditë pas zgjedhjeve dhe të shohim se demokratët i kanë fituar të gjitha garat zgjedhore në nivel shtetëror”, përfundoi Cruz.
