Studentë, pedagogë dhe qytetarë u mblodhën sot në mesditë në një protestë para Ministrisë së Arsimit, duke vazhduar kështu serinë e tubimeve të javëve të fundit që kërkojnë ndryshimin e klasës politike, dorëheqjen e qeverisë dhe përmirësimin e kushteve për strehim dhe arsimim.
Protestuesit u grumbulluan në zonën përpara Ministrisë së Arsimit në një manifestim paqësor.
Megjithatë, protestat e ditëve të fundit u shoqëruan me akte dhune ndaj institucioneve dhe përplasje me policinë.
Tani, ata janë të vendosur në qendër të Rrugës së Durrësit, ku qarkullimi i automjeteve është devijuar për shkak të protestës.
Përpara godinës së Ministrisë së Arsimit janë vendosur efektivët e policisë, të cilët kanë formuar një kordon sigurie.
Në këtë protestë, pedagogët janë gjithashtu të pranishëm, pasi disa ditë më parë ata filluan bojkotin e procesit mësimor, duke iu bashkuar kërkesave të studentëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e protestës.
Në kuadër të këtyre masave, pranë Kryesisë së Kuvendit është pozicionuar autoboti i ujit, ndërsa forcat e rendit janë angazhuar për të monitoruar situatën dhe ruajtur rendin publik.
Mbështetësit e PD-së dhe disa deputetë po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar studentëve.
Megjithatë, studentët kanë shprehur pakënaqësi për mospjesëmarrjen e deputetëve të PD-së në protestën e tyre. “Kjo protestë është e popullit, ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti.
Nuk duam persona që janë simbol i partive politike që na kanë rrënuar ndër vite,” tha një prej të rinjve pjesëmarrës në protestë.
Pas këtij momenti, situata para Ministrisë së Arsimit u tensionua, pasi protestuesit ndezën flakadanë në hyrje të ministres.
Gjatë protestës, ata dogjën gjithashtu një kosh mbeturinash.
Studentët kanë njoftuar se do të zhvendosen përpara Kryeministrisë.
Të rinjtë, pedagogët dhe qytetarët po protestojnë prej 19 ditësh në Tiranë kundër klasës aktuale politike, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, si dhe kushte më të mira për arsimim dhe jetesë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
