BallinaShowbizFestivalin e Këngës "Akordet e Kosovës": Nata e Parë Plot Energji dhe...

Festivalin e Këngës “Akordet e Kosovës”: Nata e Parë Plot Energji dhe Talente

- Advertisement -

Nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” ka nisur me shumë emocion në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, duke sjellë në skenë artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria.

Mbrëmja muzikore është hapur me një kolazh këngësh nga Teuta Kurti dhe Florent Abrashi, ndërsa më pas ka filluar gara me paraqitjet e para konkurruese.

Spektakli po drejtohet nga Agron Krasniqi, moderator i RTK-së, dhe Flaka Latifi, ndërsa transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

I pari që ka dalë në skenë është Besmir Shishko me këngën “Përjetësisht”, për të cilën ai ka realizuar muzikën së bashku me Armend Shalën, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë.

Orkestrën e këtij interpretime e ka dirigjuar Liriona Sulajmani.

- Advertisement -

Pas tij, Shpend Lleshi, i njohur si Pena, ka sjellë këngën “Vala”.

Ai është autor i muzikës dhe tekstit, ndërsa maestro Memli Kelmendi ka drejtuar orkestrën.

Gjatë prezantimit, moderatorët kanë theksuar prejardhjen e tij nga Gjakova dhe të kaluarën si veteran i UÇK-së, duke e vënë në pah pasionin e tij për muzikën.

Këngëtarja Verona Kastrati ka vazhduar me interpretimin e këngës “Flakë”, me muzikë dhe tekst të Valon Gashit.

Ky i fundit, ndryshe nga edicioni i kaluar, ku ishte pjesë e orkestrës së festivalit, këtë vit është autor i një prej këngëve konkurruese.

Pjesë e garës është edhe këngëtarja nga Shqipëria, Sajana Kodheli, e cila ka performuar këngën “E lirë”.

Muzika është realizuar nga Klodian Reçepaj, ndërsa tekstin e ka shkruar Sonja Vokopola.

Moderatorët kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së artistëve nga Shqipëria dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.

Një paraqitje të veçantë ka sjellë edhe Troja Bicurri, e cila ka interpretuar këngën “Mali dhe hëna”, me tekst dhe muzikë të realizuar nga vetë ajo.

Ajo ka ardhur në skenë me kitarë, duke sjellë një interpretim të veçantë që përshkruan dy personazhe nga botë të ndryshme.

Grupi Hawolf ka sjellë një frymë muzikore të re, me katër vëllezërit Havolli që kanë interpretuar këngën “Ti s’je unë”, për të cilën kanë realizuar vetë muzikën dhe tekstin.

Krijimtaria e tyre ndërthur rock-un alternativ me elemente të heavy metal-it.

Mysafirja speciale e natës së parë ka qenë këngëtarja Jonida Maliqi, e cila është rikthyer në skenën e Prishtinës pas 15 vjetësh.

E pritur me duartrokitje nga publiku, Maliqi ka shprehur kënaqësinë që është pjesë e këtij edicioni, duke vlerësuar organizimin dhe rrugëtimin e festivalit.

Ajo ka ndarë kujtime nga përvoja e saj në Eurovision dhe ka shprehur dëshirën që Kosova të përfaqësohet në festivalin europian në të ardhmen, duke theksuar potencialin e artistëve dhe vokalet që ka vendi. “Mezi po pres dhe unë që ta përfaqësoheni atje, me super vokalet që ka Kosova”, ka thënë Maliqi.

Gjatë paraqitjes së saj, ajo ka interpretuar edhe “Thesar pa emër”, një prej këngëve më personale të repertorit të saj, të cilën ia ka kushtuar djalit.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments