Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve vazhdoi këtë të martë për të 17-ën ditë radhazi në Tiranë.
Fillimisht, protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, për të kaluar më pas në disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, studentët u drejtuan drejt Kryeministrisë, ku përsëritën kërkesat e tyre dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protesta po zhvillohet në qetësi, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë, ndryshe nga ditët e para.
Autoritetet kanë vendosur një kordon sigurie në zonë dhe kanë marrë masa për menaxhimin dhe devijimin e trafikut.
Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, duke kërkuar ndryshime dhe mbështetje për kauzën e tyre.
Ashtu si në ditët e mëparshme, studentët kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen para çdo procesi negociues.
Kreu i qeverisë, siç ka bërë më parë, sot sërish ka vendosur ftesat për dialog para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit aktualisht ndodhen para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar tubimin e tyre në ditën e 17-të.
Të rinjtë, studentët dhe pedagogët kanë bllokuar pjesërisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa po përsërisin kërkesat e tyre dhe brohorasin slogane kundër qeverisë.
Situata para Kryeministrisë paraqitet e qetë, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë, të cilat janë vendosur në perimetrin e institucionit për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
