Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, ka shprehur kritika ndaj vonesave në marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Ai theksoi se institucionet përkatëse kishin pasur informacione të mjaftueshme për të vepruar më herët.
Thaçi njoftoi se raporti që do t’i dorëzohet kryeministrit do të jetë kryesisht informues në lidhje me dështimet e mundshme institucionale. “Ne po e presim raportin, një raport që unë faktikisht mendoj që më tepër do të jetë informues, për shkak se kryeministri do të mund të merr raport informues mbi dështimin e hallkave eventuale,” tha ai.
Ai theksoi se suspendimet e policëve, kryeprokurorit dhe prokurorit të Pejës ishin vonuar, pasi institucionet relevante kishin qenë në dijeni të rastit dhe kishin pasur materiale të mjaftueshme për të ndërmarrë masa.
Thaçi e përshkroi vrasjen si “makabër” dhe nënvizoi se kishte argumente dhe dokumente që tregonin se nuk kishte nevojë për hetime të zgjeruara. “Kjo letër dëshmon shumë”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai gjithashtu përmendi letrat që i ishin drejtuar Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, si dhe audio incizimet që kishin qenë në dispozicion të institucioneve.
Thaçi vlerësoi se këto materiale duhej të shërbenin për veprim më të shpejtë dhe se përgjegjësia për rastin nuk mund të kufizohej vetëm në aspektin moral. “Nuk kemi më vend këtu për dorëheqje morale, këtu ka përgjegjësi institucionale, kjo vrasje ka qenë e paralajmëruar dhe këtë e kemi vrarë me duar tona, dilema nuk ka.
Përgjegjësia përveç morale është edhe ligjore dhe shteti duhet ta ndërtojë një standard që nesër çka do që ndodhë të kemi përgjegjësi politike dhe morale”, tha ai.
Ndërkohë, Thaçi kritikoi qasjen e policisë ndaj qytetarëve që kërkojnë ndihmë, duke theksuar se institucionet e sigurisë kanë detyrim t’u shërbejnë qytetarëve dhe nuk duhet t’i minimizojnë shqetësimet e tyre. “Policia nuk guxon asnjëherë të thotë që është lodhur, mund të lodhemi fizikisht, mirëpo jemi të obliguar t’u shërbejmë qytetarëve, as nuk guxon të thotë ‘e ke tepruar’, si në rastin e Arlinda Zekajt”, theksoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
