Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në një takim ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.
Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për miqësinë e fortë ndërmjet dy vendeve dhe për mundësitë për të thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë.
Në fokus të bisedës ishte gjithashtu thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e modernizimit të administratës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian. “Shkëmbimet ndërmjet administratave tona do të na mundësojnë të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të përfitojmë nga përvoja e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” theksoi Kryetarja Haxhiu.
Ajo shprehu mirënjohje për angazhimin e ministrit Dukaj në forcimin e lidhjeve tona dhe për mbështetje të vazhdueshme që Mali i Zi ofron në rrugën evropiane të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se shqiptarët në Mal të Zi, përmes punës dhe angazhimit të tyre në jetën publike, kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e vendit dhe në afrimin mes dy popujve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
