Sport

FC Vushtrria Reagon Pas Bojkotit të Lojtarëve – Situata e Vështirë dhe Pasojat

FC Vushtrria ka reaguar ashpër ndaj bojkotit të një grupi lojtarësh, të cilët sipas klubit, refuzuan të paraqiten në ndeshjen e sotme, pavarësisht zotimeve të dhëna në takimin e mbajtur një natë më parë.

Bordi pranon se paga e fundit ka pasur një vonesë prej 20 ditësh, duke e lidhur këtë me procedurat ligjore për sigurimin e dokumentacionit të sponsorizimit.

Megjithatë, thekson se lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.


- Advertisement -

Në reagimin e tij, klubi vlerëson se bojkoti e ka vendosur atë në një situatë të vështirë, duke rrezikuar pasoja sportive, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë.

FC Vushtrria paralajmëron se çështja do të trajtohet me seriozitet, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe legjislacionin në fuqi, duke insistuar se problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët. “FC Vushtrria është mbi interesat individuale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit, i cili ka zgjedhur mesazhin e qartë: “Klubi nuk shantazhohet nga askush”.

Klubi shprehet se është për keqardhje ajo që ka ndodhur sot.

Situata e krijuar nuk është në interes të askujt dhe është pasojë e bojkotit të lojtarëve, të cilët, pavarësisht diskutimeve dhe zotimeve, nuk pranuan të paraqiten në ndeshjen e sotme.

Bordi është i vetëdijshëm për vonesën 20-ditore të pagës së fundit për lojtarët, e cila është e para e këtij lloji që nga hyrja e klubit në Superligë.

Bordi e merr përsipër përgjegjësinë për këtë situatë, e cila është shkaktuar nga procedurat ligjore të sigurimit të vërtetimeve të sponsorizimit.

Dokumentacioni përkatës është përfunduar gjatë kësaj jave.

Në takimin e mbajtur mbrëmë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e tifogrupit “Forca”, lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.

Po ashtu, përfaqësuesve të tifogrupit “Forca” u është premtuar shlyerja e një detyrimi që lidhet me organizimin e tyre të brendshëm.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zotimeve, lojtarët nuk pranuan të luanin në ndeshjen e sotme, duke e vënë klubin në një situatë të vështirë dhe duke rrezikuar humbjen e ndeshjes në tavolinë.

FC Vushtrria ka qenë ndër klubet me më pak vonesa në përmbushjen e obligimeve ndaj lojtarëve.

Jemi të vetëdijshëm se këto obligime duhet të përmbushen me kohë dhe po punojmë që situata të tilla të mos përsëriten.

Kompletimi i dokumentacionit për sponsorizim është një hap i rëndësishëm për klubin.

Me mbështetjen e bizneseve më të fuqishme të qytetit, jemi të bindur se do të krijojmë kushte edhe më të qëndrueshme për funksionimin dhe zhvillimin e FC Vushtrrisë.

Megjithatë, bojkoti i ndeshjes së sotme dhe pasojat që mund të ketë për klubin janë shqetësuese.

Bordi do ta trajtojë këtë çështje me seriozitet, në përputhje me rregulloret e brendshme të klubit dhe legjislacionin në fuqi, duke vlerësuar përgjegjësitë dhe rrethanat e krijuara.

FC Vushtrria është mbi interesat individuale. Çdo çështje që lidhet me klubin duhet të zgjidhet përmes komunikimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Ne mbetemi të përkushtuar në organizimin dhe zhvillimin e klubit tonë të zemrës, me bindjen se do t’i tejkalojmë këto vështirësi dhe do të rikthehemi edhe më të fortë.


- Advertisement -