Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini: Kosova në Kolaps Energjetik
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin për situatën energjetike në Kosovë, duke theksuar se vendi po përballet me mungesë prodhimi dhe kosto të larta për importin e energjisë elektrike.
Në një konferencë për media, Gjini njoftoi se vetëm gjatë muajit shtator, sipas tij, importi i energjisë elektrike ka arritur rreth 27 milionë euro.
Ai paralajmëroi se shpenzimet ditore për import mund të arrijnë së paku dy milionë euro. “Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tani është diku 27 milionë euro.
Këtë veç prej shtatorit jemi duke folur.
Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat, ndërsa kërkesa në këto momente e kemi mbi 800 megavat.
Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët.
Mundet me shkua shumë më lart.
Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importua energji elektrike 2 milion euro në ditë”, deklaroi ai.
Sipas shifrave që prezantoi Gjini, prodhimi vendor në momentin e deklaratës ishte rreth 372 megavatë, ndërsa kërkesa për energji elektrike tejkalonte 800 megavatë.
Kreu i Aleancës kritikoi Qeverinë për procesin e tenderimit për riparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve prodhuese, duke pretenduar se procedura është mbyllur pa përzgjedhjen e një fituesi, gjë e cila ka vonuar riparimin.
Gjini akuzoi Qeverinë për menaxhim të dobët të sektorit të energjisë dhe paralajmëroi se Aleanca do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës javën e ardhshme për të diskutuar këtë çështje.
Ai theksoi se kostot e importit rëndojnë mbi qytetarët, si përmes faturave të energjisë elektrike, ashtu edhe përmes shpenzimeve që mbulohen nga buxheti i shtetit. “Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps.
Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës.
E dimë që ka shumë kamuflime, e dimë që shumëçka sikur në raste të tjera, unë e përdor një fjalë “pështjellët” në Kosovë, ama duhet me e potencua pastër.
Që do të thotë që paguhet për energji elektrike, del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës.
Qoftë përmes faturave, qoftë përmes pagesave skandaloze prej buxhetit të Kosovës, për shkak se edhe buxheti i Kosovës vjen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës përmes taksave, të cilat ju merr shteti.
E dini që Kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat.
E tash po ju tregoj diçka.
Këta e kanë dështuar me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit.
I cili ka pas me u riparua deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulua çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i Kurtit është i pariparuar.
Që ai i njëjti bojler për të cilin ka folur para nja 2 vjet e gjysmë….
Aleanca do të kërkoj interpelancë nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje” tha Gjini.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

