Rreziku për Bifurkacionin e Nerodimës: Një Fenomen Natyror në Krise
Një lum i vetëm ka dy rrjedha që ndahen: njera shkon drejt Detit Egje, ndërsa tjetra vazhdon për në Detin e Zi.
Ky fenomen natyror i bifurkacionit në Nerodimë të Poshtme është një nga atraksionet më të njohura të Ferizajt, por sipas ekspertëve të mjedisit, ai ndodhet në rrezik.
Në disa raste gjatë vitit, rrjedha e lumit pothuajse ndalon. “Marrja pa kontrolluar e ujit për ujitje, ndotja, hedhja e mbeturinave dhe ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura, si dhe mungesa e mirëmbajtjes së rregullt të shtratit të lumit, janë disa nga shkaktarët.
Edhe ndryshimet klimatike, si rritja e temperaturave dhe mungesa e reshjeve, po ndikojnë negativisht.
Nëse vazhdon kjo situatë, rrezikohet që bifurkacioni të humbasë funksionin e tij dhe të mbetet vetëm një emër në hartë, jo një fenomen i gjallë.
Prandaj, është e nevojshme të bëhet monitorimi i rregullt i ujit dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e shtratit”, tha Sami Mekolli, profesor i mjedisit.
Rrjedha e lumit Nerodimë, sipas Komunës së Ferizajt, varet nga reshjet. “E dimë se rrjedhat e lumenjve varen nga reshjet.
Në Ferizaj, kemi pasur pak reshje kohët e fundit, që ka ndikuar në uljen e rrjedhës së ujit.
Megjithatë, gjatë vizitave të fundit në lum, kemi vërejtur se ka ende rrjedhë, edhe pse jo në masën që do të dëshironim.
Kjo tregon se nuk ka ndonjë problem të theksuar me lumit”, deklaroi Alberton Sahiti, drejtor i Shërbimeve Publike në Ferizaj.
Sipas Sahitit, pastrimi i shtratit të lumit bëhet çdo vit. “Vitin e kaluar pastruam pjesën më të madhe të lumit dhe shpresojmë që pastrimi do të vazhdojë çdo vit, veçanërisht kur temperaturat të jenë në nivele optimale, përgjatë muajve shkurt ose mars.
Ne do t’i pastrojmë të gjithë lumenjtë në Ferizaj.
Mirëpo, kompetencat për ndërhyrje dhe projekte të tjera janë jashtë përgjegjësive tona”, shtoi ai.
Po ashtu, Tëvë1 ka kontaktuar edhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellit “Bifurkacioni” në Ferizaj për të marrë informacion mbi sasinë e ujit që ata e marrin nga ky lum. “Sasia maksimale e ujit që shfrytëzohet është 180 litra në sekondë, por kjo nuk nënkupton marrjen e vazhdueshme të kësaj sasie gjatë gjithë vitit.
Lumi vazhdon rrjedhën përmes fshatrave Nerodime e Epërme dhe Nerodime e Ulët, dhe më tej drejt qytetit të Ferizajt.
Megjithatë, ne nuk mund të konfirmojmë sasinë e ujit që mund të merret nga shfrytëzuesit tjerë”, thuhet në njoftim.
Për gjendjen e lumit, mirëmbajtjen dhe rrezikimin e këtij fenomeni natyror, Tëvë1 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

