Michael Douglas ka reaguar ndaj kritikave që filmi “Basic Instinct” ka marrë për mënyrën si portretizohen personazhet lezbike, duke mbrojtur trajtimin e historisë në trillerin erotik të vitit 1992.
Në autobiografinë e tij të re, “One Helluva Ride”, aktori 82-vjeçar ka shprehur se nuk e ka konsideruar asnjëherë filmin homofobik apo të dëmshëm për komunitetin LGBTQ+.
Polemikat filluan pasi dy personazhe të rëndësishme të filmit, Catherine Tramell dhe e dashura e saj Roxy Hardy, paraqiteshin si vrasëse.
Në një kohë kur personazhet LGBTQ+ ishin të rrallë në filmat e mëdhenj të Hollivudit, organizatat dhe aktivistët e komunitetit kritikuan faktin që dy personazhet lezbike paraqiteshin si vrasëse.
Douglas ka argumentuar se filmi kishte për qëllim të ishte një histori detektive me ritëm të shpejtë dhe personazhe ekstremë, e jo një shembull përfaqësimi shoqëror.
Sipas tij, jo çdo film duhet të mbajë përgjegjësinë për të ofruar përfaqësim pozitiv të një komuniteti.
Aktori ka kujtuar protestat gjatë xhirimeve në San Francisko, ku demonstruesit ndërprisnin skenat me bilbila dhe drita.
Një incident kur u lyen me bojë ambientet e një lokali bëri që prodhimi të ndalej për një ditë të tërë.
Për të mbajtur situatën nën kontroll gjatë disa xhirimeve, ishte angazhuar edhe një numër i madh policësh.
Douglas gjithashtu ka treguar se skenaristi Joe Eszterhas ndryshoi qëndrim pas protestave dhe, sipas aktorit, më vonë u përpoq të paraqitej si viktimë e situatës, duke ia lënë përgjegjësinë për skenarin atij dhe regjisorit Paul Verhoeven.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




