Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, kemi mysafirin e veçantë, ish-futbollistin e njohur kosovar Ahmet Haliti.
Ai rikthen kujtimet nga karriera e tij si futbollist dhe flet për rrugëtimin e tij të ri në futboll, tani në rolin e ndihmës trajnerit te Ballkani.
Ky episod është realizuar me mbështetje nga sponsorët zyrtarë, Exfis.
Gjatë bisedës, Haliti ndan me ne se si e filloi rrugëtimin e tij në futboll, ku u formua si lojtar dhe cilët persona patën ndikimin më të madh në hapat e parë të karrierës së tij.
Ai përmend periudhën te Hysi, ku përjetoi suksese dhe fitoi trofe, duke shpjeguar rëndësinë e këtij klubi në zhvillimin e tij si futbollist.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës i dedikohet aventurave te Prishtina dhe Feronikeli, dy klube ku Haliti luajti në periudha të ndryshme të karrierës.
Ai kujton emocionet e veshjes së fanellës së Prishtinës dhe presionin për të arritur rezultate me një klub me histori të madhe, si dhe përvojat nga garat evropiane.
Po ashtu, flet për kohën e tij te Feronikeli, Llapin dhe Trepçën ’89, duke veçuar përjetimet dhe dallimet mes këtyre ambienteve.
Haliti ndalet gjithashtu te përvoja jashtë Kosovës, ku ka luajtur për Besën dhe Bylisin në Shqipëri.
Ai tregon se si erdhi kalimi në futbollin shqiptar dhe cilat ishin dallimet kryesore që vërejti mes futbollit në Kosovë dhe atij në Shqipëri.
Në këtë bisedë, ish-mbrojtësi rikthen sukseset e arritura gjatë karrierës, përfshirë trofetë me Hysin, Prishtinën dhe Llapin.
Ai flet për cilësitë që e karakterizonin si futbollist, përgjegjësitë e rolit të mbrojtësit dhe për sfidat me sulmuesin më të vështirë me të cilin është përballur gjatë karrierës.
Një tjetër temë e rëndësishme është vendimi për t’i dhënë fund karrierës si futbollist në moshën 36-vjeçare.
Haliti shpjegon se si erdhi ky vendim, sa e vështirë ishte largimi nga fusha dhe kur lindi ideja për të vazhduar rrugëtimin në futboll si trajner.
Pas pensionimit, hapat e parë në këtë drejtim i bëri si ndihmës trajner te Vëllaznimi dhe më pas te Dukagjini.
Ai rrëfen sfidat e kalimit nga futbollist në trajner dhe përvojat e fituara gjatë këtyre angazhimeve, përpara se t’i bashkohej Ballkanit, ku tani është pjesë e shtabit teknik të një klubi që ka krijuar standarde të larta në futbollin kosovar.
Në pjesën e fundit të bisedës, Haliti flet për ndikimin që ka pasur karriera e tij si futbollist në punën e sotme me lojtarët, mënyrën se si i kupton vështirësitë e tyre dhe raportin me shtabin teknik të Ballkanit.
Ai gjithashtu tregon për ambiciet e tij në këtë profesion dhe nëse synon që një ditë të marrë drejtimin e një skuadre si trajner i parë.
