Barcelona është duke përgatitur një ofertë prej 25 milionë eurosh për Andrea Cambiasos nga Juventusi, me trajnerin Hansi Flick dhe drejtori sportiv Deco që e shohin italianin si përforcimin ideal për krahun e majtë të mbrojtjes.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, klubi katalanas synon ta sjellë mbrojtësin italian për të zëvendësuar Alejandro Balden, i cili pritet të largohet në afatin kalimtar të janarit, pasi ka humbur vendin në planet e Flickut.
Megjithatë, Juventusi nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e Cambiasos për më pak se 40 milionë euro, duke krijuar një diferencë të madhe mes vlerësimit të dy klubeve.
Barcelona vlerëson veçanërisht polivalencën e futbollistit italian, i cili mund të luajë në disa pozita në krahët e mbrojtjes.
Prandaj, drejtuesit katalanas po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së Baldes në marrëveshje si pjesë të shkëmbimit, për të zvogëluar diferencën financiare mes dy klubeve.
Balde, 23 vjeç, ka rënë në hierarkinë e mbrojtësve të majtë te Barcelona dhe së fundmi ka luajtur kryesisht për shkak të lëndimeve të bashkëlojtarëve.
Raportet tregojnë se gjatë verës atij i ishte bërë e ditur se nuk ishte ndër zgjedhjet prioritare të stafit teknik, dhe palët kishin diskutuar mundësinë e largimit në mes të sezonit, me kusht që klubi të siguronte një zëvendësues të denjë.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Juventusit mbështeten te kontrata e Cambiasos, e cila është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029.
