Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, njoftoi se gjatë protestave janë lënduar gjithsej 347 persona, përfshirë punonjës të Policisë, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.
Sipas ministrit, nga këta, 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej të cilëve kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa 107 janë protestues.
Po ashtu, ka pasur kalimtarë të lënduar, përfshirë gazetarë që u dëmtuan gjatë raportimit të ngjarjeve. “Nuk dua të bëj diferencime.
Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, tha Demo.
Ministri e quajti këtë situatë një “këmbanë alarmi” dhe theksoi se qëndrimi i Ministrisë dhe Policisë është garantimi i të drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht, duke reaguar proporcionalisht në rastet e dhunës.
Ai gjithashtu përmendi se disa punonjës të policisë dyshohet se kanë tejkaluar masën gjatë protestave, duke sqaruar se 7 efektivë janë pezulluar dhe janë nën hetim. “Edhe në ato raste kur punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë vendime personale që kanë kaluar masën, Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë.
Shtatë janë pezulluar dhe janë nën hetim për veprimet që kanë ndërmarrë”, sqaroi ai.
Demo po ashtu theksoi se AMP po punon për dhjetëra raste të referuara nga qytetarët dhe po bashkëpunon me Prokurorinë e Tiranës për hetimin e këtyre ngjarjeve, duke treguar angazhimin për transparencë dhe marrëdhënien me qytetarët.
Ai gjithashtu evidentoi se dhuna është konstatuar edhe ndaj institucioneve private dhe individëve të pranishëm në protesta.
Ministri theksoi se është konstatuar një presion mbi punonjësit e Policisë në media dhe rrjetet sociale, ku janë regjistruar kërcënime nga individë të caktuar që identifikonin punonjësit e policisë dhe bëjnë thirrje për sulme ndaj tyre. “Në total janë 347 të lënduar.
Nuk dua të bëj diferencime.
Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. 200 prej tyre janë punonjës të Policisë së Shtetit, me lëndime të ndryshme, disa prej tyre shumë të rënda. 107 protestues të lënduar.
Ka pasur të lënduar edhe kalimtarë.
Këtu përfshihen edhe gazetarët që janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës.
Këto shifra janë një këmbanë alarmi për ne, për sa i përket dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë gjatë menaxhimit të kësaj proteste.
Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është i qartë: garantojmë të drejtën kushtetuese për të protestuar paqësisht dhe proporcionalitetin e Policisë së Shtetit kur konstatohet dhunë”, theksoi ministri.
Në lidhje me të miturit, ai njoftoi se 269 të mitur janë shoqëruar nga policia gjatë protestave dhe e cilësoi pjesëmarrjen e tyre si një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje për parandalimin e rasteve të ngjashme. “I kanë vënë ata në vijën e parë të dhunës, duke qëndruar vetë përpara këtyre të miturve.
Tregojnë qartazi se është shqetësues numri i të miturve që morën pjesë në protestë.
Ka pasur 269 të shoqëruar, nën 18 vjeç. Është një fenomen të cilit duhet t’i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar, në mënyrë që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i javëve të fundit.
Ka miratuar aktin e ri normativ, për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme”, përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
