Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim me Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Sh.T.
Dirk Schübel.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili e përgëzoi Ambasadorin Schübel për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje për mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian në avancimin e reformave institucionale dhe zhvillimin ekonomik e financiar të Kosovës.
Ismaili paraqiti zhvillimet kryesore në sektorin financiar, duke theksuar stabilitetin dhe rëndësinë e tij për zhvillimin ekonomik.
Ai e informoi Ambasadorin për progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së, forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe avancimin e kornizës ligjore për të përmbushur standardet evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe modernizimit të infrastrukturës së pagesave.
Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Dardan Fusha paraqitën progresin në përmbushjen e kërkesave ligjore për aplikim në SEPA, duke përfshirë miratimin e ndryshimeve ligjore në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
BQK-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për aplikimin pranë Këshillit Evropian të Pagesave, në koordinim me institucionet përkatëse të BE-së.
U diskutua gjithashtu zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone, si pjesë e reformave për modernizimin e shërbimeve të pagesave.
Ismaili theksoi se integrimi në SEPA është një prioritet strategjik për BQK-në dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Kjo do të sjellë pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.
Gjatë takimit, palët diskutuan për forcimin e integritetit të sistemit financiar, sigurinë kibernetike dhe zgjerimin e qasjes në shërbime financiare.
Guvernatori shprehu mirënjohje për mbështetje nga institucionet e BE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Ambasadori Schübel riafirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në reformat dhe procesin e integrimit evropian.
Në përfundim, të dy palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe koordinimin në realizimin e prioritetit të përbashkët për stabilitetin financiar dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
