Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, priti sot ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, për një takim ku u diskutua rëndësia e bashkëpunimit bilateral dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të partneritetit në sektorë kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri Muja e falënderoi ambasadorin Rudolph për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetje të vazhdueshme nga Gjermania, duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve në avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, u theksua se bashkëpunimi me Republikën Federale të Gjermanisë është një mundësi e rëndësishme për avancimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Kjo përfshin shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe mbështetje për iniciativa që synojnë modernizimin e prodhimit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim krijimin e mundësive të reja për fermerët, zhvillimin e prodhimit vendor dhe avancimin e sektorit bujqësor në Kosovë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
